Gjuha
Shqipja – gjuhë inferiore te shqiptarët e diasporës
Në kuadër të Seminarit u mbajt sesioni shkencor “Shqipja në diasporë - diasporat e shqipes”
Fëmijët shqiptarë në Evropën Perëndimore shqipen si gjuhë të parë e kanë vetëm në vitet e para pasi nisin të flasin. Atë e mësojnë në ambientet familjare. Por kur nisin të vijojnë institucionet edukuese, shqipja pothuajse me automatizëm e humb nivelin e përdorimit dhe kalon në një gjuhë që përdoret në ambiente të ngushta familjare. Nga gjuhë e parë kalon në të dytë.
Referimet e së enjtes në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare kanë nxjerrë në pah aspekte të ndryshme të mërgatës shqiptare në raport me gjuhën e vendit prej nga vijnë. “Shqipja në diasporë – diasporat e shqipes”, ka qenë tema e Sesionit shkencor të gjuhësisë në kuadër të Seminarit.
Profesori i gjuhës Rrahman Paçarizi ka shpalosur një kornizë të një hulumtimi që është në zhvillim e sipër e që përfshin një korpus të gjerë dhe natyrash të ndryshme, që shkojnë nga gjuha e folur e deri te ajo e folur dhe e shkruar në rrjetet sociale e në komunikimin instant. Nëpërmjet kumtesës “Diasporat e shqipes” ka thënë se në librat e dialektologjisë janë përmendur të folmet arbëreshe, që janë trajtuar goxha seriozisht dhe detajisht gjatë disa dekadash, pastaj e folmja e arbneshëve të Zarës, e folmja e shqiptarëve të Mandricës, ajo e shqiptarëve të Ukrainës dhe të folmet arvanitase. Këto të folme, sipas tij, janë konsideruar ishuj gjuhësorë të shqipes. Sa i përket Turqisë, ka thënë se shqipja nuk përmendet as në të dhënat e Librit të Kuq të UNESCO-s për gjuhët e rrezikuara.
“Krahas këtyre ishujve gjuhësorë të shqipes, tashmë janë krijuar edhe ishuj të tjerë me tipare të tjera, me habitat tjetër, por edhe me prognozë krejt të ndryshme nga ajo e ishujve të mëhershëm gjuhësorë – kjo është shqipja e brezit të dytë e të tretë të shqiptarëve që jetojnë në Evropën Perëndimore, përfshirë edhe Anglinë”, ka thënë Paçarizi.
Sipas të dhënave që ka gjetur, në Greqi jetojnë gati gjysmë milioni shqiptarë, shumica dërrmuese nga Shqipëria, të vendosur atje në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Po kaq shqiptarë besohet se jetojnë aktualisht në Itali, kryesisht nga Shqipëria dhe po me të njëjtën histori, por edhe një numër i konsiderueshëm nga Kosova që kanë emigruar në fillim të këtij shekulli. Ka thënë se sipas mikrocensusit të vitit 2015, në Gjermani jetojnë 202 mijë persona me origjinë nga Kosova dhe me shtetësi kosovare, pa llogaritur shqiptarët me origjinë nga Kosova që kanë marrë nënshtetësi gjermane, ata që jetojnë atje gjysmilegalisht e pa përfshirë shqiptarët nga Shqipëria dhe ata nga Maqedonia. E në Zvicër zyrtarisht jetojnë 140 mijë shqiptarë nga Kosova e Maqedonia me lejeqëndrim të përhershëm dhe po kaq me status të përkohshëm, me status të parregulluar ose edhe me nënshtetësi zvicerane. Krahas këtyre të dhënave, Paçarizi ka thënë se dhjetëra mijëra shqiptarë jetojnë në Angli, në Francë, në Belgjikë e në Holandë, si dhe rreth 80 mijë në Suedi e Norvegji.
“Rrethanat e kultivimit të shqipes janë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Në Suedi shqipja është në mesin e 10 gjuhëve më të mëdha të huaja, dhe bashkë me gjuhët e tjera të huaja, edhe mësimi i shqipes është i institucionalizuar dhe organizohet në kuadër të sistemit arsimor suedez, ku rreth 6 mijë fëmijë shqiptarë ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe”, ka thënë ai. Sa u përket vendeve të tjera, ka thënë se ose nuk ka fare mësim të shqipes ose ai është i organizuar në baza vullnetare, pra jo si pjesë e sistemeve arsimore të shteteve përkatëse. Sipas hulumtimeve të tij, dallimet ndërmjet ishujve gjuhësorë të shqipes, për të cilët është shkruar më parë, dhe shqipes në diasporë, shqipes së mërgimtarëve shqiptarë janë të mëdha dhe shtrihen në shumë drejtime.
“Fillimisht, përderisa për ishujt e tjerë, duke përfshirë ndoshta edhe Turqinë, mund të flitet si për territore mjaft kompakte ku popullata që flet të folme të shqipes është mbizotëruese, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për shqipen që kultivohet në Evropën Perëndimore”, ka thënë Paçarizi. Në asnjë nga këto zona, sipas tij, shqiptarët nuk janë shumicë dhe shqipja nuk ka status politik. Në krahasim me shqiptarët në Kalabri e Sicili, në Zarë e vende të tjera ku komunitetet janë kompakte dhe homogjene, situata nuk është e tillë në asnjë nga vendet e Evropës Perëndimore, ku shqiptarët janë të shpërndarë dhe nuk jetojnë në vendbanime kompakte ku do të mundë të krijoheshin kushte për kultivimin e shqipes.
“Fëmijët shqiptarë apo me prindër shqiptarë rriten në kushte bilinguzimi, duke e nxënë shqipen si gjuhë të parë gjatë dy a tri viteve të para të jetës së tyre deri në kontaktet e para socializuese në çerdhe e kopshte, ku zhvillohen më pas si bilingë, me ç’rast shqipja e humb prestigjin dhe shndërrohet në gjuhë për nevoja kollokuiale për komunikim brenda shtëpisë…”, ka thënë Paçarizi. Sipas tij, kësisoj shqipja kështu shndërrohet në gjuhë inferiore me të cilën nuk mund të sigurohet status social, punë apo karrierë.
Ka marrë shembull se një biling shqiptaro-gjerman në shqipen e tij shfaq tipare fonetike që ia imponon gjermanishtja, për shkak se aparati i të folurit i bilingut shqiptaro-gjerman më shumë i përshtatet artikulimit të tingujve të gjermanishtes, dhe kjo pastaj reflektohet në mënyrën e nyjëtimit të tingujve me rastin e përdorimit të shqipes. “Leksiku i shqipes i bilingëve del të jetë jashtëzakonisht i kufizuar dhe kryesisht në domene kollokuiale”, ka thënë Paçarizi.
Sa i përket shqipes në Greqi, studiuesja Valbona Kalemi nëpërmjet kumtesës “Shqipja dhe situata gjuhësore në mërgatën e re në Athinë”, ka thënë se marrëdhëniet e shqipes me greqishten kanë njohur një dinamikë të re pas vitit 1990, ku gjuhët kontaktojnë në një truall më të gjerë dhe me intensitet më të lartë, drejtpërdrejt dhe ditë për ditë nga vajtje-ardhjet midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas saj, emigrantët shqiptarë jetojnë në kushtet e një bilinguizmi tejet asimetrik, gjë që do të thotë se gjuha shqipe është e kufizuar në sferën familjare kryesisht, apo dhe në kontaktet e përditshme mes emigrantësh të grupmoshave të ndryshme.
“Mund të themi se sa më të rinj në moshë shqipfolësit, aq më të lëkundura duken pozitat e shqipes duke u shprehur në zotëruesit pasivë të saj…”, ka thënë ajo. Sipas saj, gjithnjë e më shumë po dobësohet shqipja dhe se greqishtja është duke zënë një pozicion zotërues.
“Mbi 90 për qind e të anketuarve e flasin gjuhën shqipe. Nga të testuarit tregon se varieteti i gjuhës së shkruar është më i përdorshmi. Fëmijët e emigrantëve e mësojnë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë dhe kryesisht e përdorin atë në mjedisin familjar”, ka thënë Kalemi.
Gjatë ditës së enjte, në sesionin shkencor të gjuhësisë është referuar mbi temën “Shqipja në diasporë – diasporat e shqipes”.
Midis atyre që kanë shpalosur të dhëna nga hulumtimet ishin edhe Anton Pançev me kumtesën “Hulumtimet mbi të folmet e kolonisë dhe të diasporës shqiptare në Bullgari: Përfundime dhe metodologji”, Imri Badallaj me kumtesën “Italo-arbëreshët dhe ruajtja e gjuhës së tyre”, Kledi Shegani dhe Murat Koci me kumtesën “Mësimi plotësues i shqipes në Suedi përmes kompetencës gjuhësore dhe ndërkulturore”.
“Fëmijët shqiptarë apo me prindër shqiptarë rriten në kushte bilinguzimi, duke e nxënë shqipen si gjuhë të parë gjatë dy a tri viteve të para të jetës së tyre deri në kontaktet e para socializuese në çerdhe e kopshte, ku zhvillohen më pas si bilingë, me ç’rast shqipja e humb prestigjin dhe shndërrohet në gjuhë për nevoja kollokuiale për komunikim brenda shtëpisë…”, ka thënë Rrahman Paçarizi
E-Diaspora
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok” Almira tregon se aktualisht ka mbi 800 mijë ndjekës dhe përveç se është një tik-tok-ere e...
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
Gjermani: 14-vjeçari shqiptar kishte pësuar djegie në 80% të trupit, zgjohet nga koma pas 5 muajsh
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë Mërgimtarët pasi u “rehatuan” në aeroplan u desht të presin 5 orë, në fund u dha...
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025