Zhvillim

Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks emigrantësh

Alarmi vjen nga e përditshmja britanike “Sunday Times”, në një artikull të publikuar të dielën, transmetojnë mediat e Tiranës.

Shqipëria mund të “pushtohet” nga refugjatët, pasi Maqedonia fqinje i shtrëngoi masat në kufirin e vet jugor me Greqinë, duke bllokuar pjesërisht rrugëkalimin drejt Evropës Veriore.

“Zyrtarët kanë paralajmëruar se qindra emigrantë, pjesa më e madhe nga Lindja e Mesme dhe Afrika, së shpejti mund të vërshojnë në vendin e varfër”, thuhet në artikull, përcjell albinfo.ch.

Më tej citohet drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, Shemsi Prençi: “Do të shndërrojmë tri ish-reparte ushtarake në qendra pritjeje dhe prej aty do t’i drejtojmë emigrantët. Është e pamundur ta ndalim valën. Do t’i vendosim refugjatët në hotele që përdoren nga ushtria për pushime si dhe në hotele përgjatë bregdetit shqiptar”, shkruan “Sunday Times”.