Shqipëria

Shqipëria rekomandon vaksinimin e shtatzënave

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, u bëri thirrje qytetarëve që ende nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 që të paraqiten pranë qendrave shëndetësore, ndërsa theksoi se rekomandohet vaksinimi edhe për gratë shtatzëna.

E ftuar në një studio televizive, Rakacolli sqaroi se gratë shtatzëna mund ta bëjnë vaksinën antikovid, pasi ka studime serioze për këtë.

Madje, tha ajo, ka vende që po e rekomandojnë me forcë grupin e grave shtatzënë që të bëjnë vaksinën, përcjell Albinfo.ch.

Rakacolli u bëri apel veçanërisht të rinjve të vaksinohen, pasi sipas saj, “viruset e kaluara nuk i përzgjidhnin shumë të rinjtë, por ‘Delta’ i ka prekur”.

E pyetur nëse do të ketë një vendim për shtyrjen e shkollës, Rakacolli tha se “kjo vendimmarrje i takon Ministrisë së Shëndetësisë”.

“Ne i kemi të parashikuara të gjithë skenarët. Edhe për mësimin online. Në momentin që jemi tani, mendojmë që mund të bëhet mësimi në klasa. Gjithçka varet vetëm nga shifrat. Ato s’i kontrollon vetëm Ministria e Shëndetësisë, por kontrollohen nga bashkëpunimi i qytetarëve”, tha ajo.