Zhvillim

Shqipëria pret më shumë turistë këtë vit

Nga problemet me sigurinë në Turqi, duket se më së shumti po përfiton Shqipëria që pret një numër të madh të turistëve këtë verë

Viti 2016 mund të cilësohet si shumë i suksesshëm për Shqipërinë në fushën e turizmit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 521 milionë euro. Udhëtarët shqiptarë (rezidentët) shpenzuan në udhëtimet e tyre jashtë vendit 368 milionë euro. Edhe numri i rezidentëve që udhëtuan jashtë u rrit me 8%.

Sipas të dhënave të INSTAT, mbi 1.5 milionë persona e vizituan Shqipërinë për qëllime të pastra turistike. Numri i të huajve që zgjodhën Shqipërinë për qëllime turistike u rrit me 33% në tremujorin e tretë të vitit 2016 në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe verën e vitit që vjen, parashikimet e sektorit janë optimiste. Problemet me sigurinë në Turqi kanë bërë që një pjesë e ofertës evropiane të kanalizohet në Shqipëri. Hotelet kanë pohuar se kanë zënë kapacitetet për verën e 2017 që muajin e kaluar, bëjnë të ditur mediat shqiptare.