Shqipëria

Shqipëria, në krizë për punëtorë

Me rënien e përgjithshme të popullsisë, emigracioni i lartë i të rinjve dhe puna me sezone jashtë vendit po boshatis me shpejtësi vendin nga të rinjtë, teksa bizneset në të gjithë sektorët kanë shpallur emergjencën për punonjës, përcjell albinfo.ch.

Situata është më kritike në sektorin e turizmit, industrinë e fasonit dhe në ndërtim, të cilat po injorojnë aftësitë, pasi thjesht nuk po gjejnë njerëz.

Tentativat për t’i zëvendësuar me të huaj po rezultojnë me kosto të lartë dhe joefektive, pasi vendi ynë përdoret nga të ardhurit si trampolinë për të ikur në Europë. E ardhmja nuk është optimiste dhe ekonomia nuk mund të ngjitet në zinxhirët më të lartë të vlerës.

Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me mbi 32 mijë persona vetëm vitin e kaluar, me rënie vjetore 1.7%, më e thella në 30 vjet.

Rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2022 tregojnë se 42% e të anketuarve në Shqipëri planifikojnë të emigrojnë, shkruan Monitor.