Shqipëria
Shqipëria, ndër vendet me sezonalitetin më të lartë turistik
Shqipëria po bën përpjekje për ta shtrirë turizmin përgjatë gjithë vitit, por sërish në muajt e verës është përqendrimi më i lartë i turistëve, ndryshe nga shtetet e tjera të Evropës, ku hotelet janë të zëna me punë pothuajse gjatë gjithë vitit.
Kroacia, Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe Mali i Zi janë renditur nga Eurostat ndër vendet që kanë sezonalitetin më të lartë turistik në Evropë.
Në total, rreth një e treta e netëve turistike në Evropë janë shpenzuar në korrik dhe gusht, sipas Eurostat. Ndërsa në Shqipëri, kjo peshë arriti në rreth 46 për qind, sipas përpunimeve të Monitor, bazuar në statistikat e Eurostat, e treta pas Kroacisë (59 për qind) dhe Bullgarisë (48 për qind), duke lënë pas Greqinë (43 për qind).
Gjithsej, në Shqipëri u shënuan në vitin 2022 rreth 3.83 milionë net-qëndrime, me një rritje prej 20 për qind në krahasim me vitin pararendës.
Përmirësimi ka ndodhur në pjesën e parë të vitit, ndërsa në gusht net-qëndrimet ranë me 2.5 për qind, pas një përmirësimi në shtator dhe tetor, sërish nëntori dhe dhjetori kishin tendencë rënëse.
Në dy muajt e parë të 2023, numri i netë-qëndrimeve është rritur me 3.6 për qind.
Evropa; Më shumë se një e treta e netëve turistike kalohen në korrik dhe gusht
Sipas Eurostat, sezonaliteti ka pasur gjithmonë një ndikim thelbësor në turizëm, dukuri e dukshme në modelet e mbërritjeve të turistëve dhe netëve e kaluara në hotelet dhe vendpushimet turistike të BE-së.
Gjatë periudhave të pikut të pushimeve, zonat turistike mund të përballen me mbipopullim dhe pakësim të burimeve. Anasjelltas, periudhat më të qeta mund të shkaktojnë objekte të papërdorura dhe paqëndrueshmëri të punës, për shkak të luhatjeve të kërkesës.
Në vitin 2022, u vu re modeli tradicional sezonal, ku shumica e netëve të kaluara u regjistruan në gusht (18 për qind e netëve të kaluara në 2022; 478 milionë net), e ndjekur nga korriku (16 për qind; 440 milionë). Në të kundërtën, përqindja e netëve të kaluara ishte më e ulëta në janar (3 për qind; 89 milionë), e ndjekur nga shkurti (4 për qind; 111 milionë).
Një pjesë e konsiderueshme e mbërritjeve, u regjistrua gjithashtu në korrik dhe gusht (secili muaj 14 për qind e totalit të mbërritjeve në 2022; përkatësisht 127 dhe 128 milionë udhëtarë të ardhur). Duhet përmendur korrelacioni midis mbërritjeve dhe netëve të kaluara gjatë këtyre muajve të pikut.
Kulmi në netët e kaluara, është më i madh sesa kulmi i mbërritjeve, duke sugjeruar që turistët priren të qëndrojnë më gjatë në këto muaj tepër ngarkuar, kohë e cila korrespondon me periudhën kryesore të pushimeve. Kjo tendencë rrit kërkesën për akomodime gjatë sezonit të verës.
Muajt e pikut për netët e kaluara ishin korriku dhe gushti në të gjitha vendet e BE-së në vitin 2022. Modeli sezonal ishte më i theksuar në Kroaci (59 për qind e netëve të kaluara në 2022), Bullgari (48 për qind) dhe Greqi (43 për qind).
Ndërkohë, modeli sezonal ishte më pak i theksuar në Maltë dhe Finlandë (të dyja 25 për qind) dhe Gjermani (26 për qind).
E-Diaspora
-
“Tri Net Film Fest”, në kërkim të historisë përmes filmit shqiptar Të shtunën që shkoi përfundoi në Spreitenbach (AG) festivali i filmit "TriNetFilmFest", i cili këtë vit...
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Identifikohet rritje mallrash të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme Çfarë artikujsh konfiskojnë doganierët zviceranë nga dërgesat e huaja?...
-
Zvicra, e fokusuar më shumë në prodhimin e ushqimeve me bazë bimore sesa shtazore
-
Punëdhënësit publikë nuk mund të favorizojnë kandidatët zviceranë në raport me të huajt
-
Zvicër: Tri modele të reja të trenave do të fillojnë të qarkullojnë nga viti 2026
-
530 milionë franga më shumë për forcat e armatosura të Zvicrës