Shqipëria

Shqipëria ka hyrë tashmë në tregun ndërkombëtar të turizmit

Shqipëria përjetoi një ‘bum’ turistësh këtë sezon veror.

Tashmë dihet se Shqipëria kishte ‘bum’ turistësh këtë sezon veror. Ndonëse jemi në mes të shtatorit, hotelet në bregdet janë ende plot me pushues, përcjell albinfo.ch.

Duke folur këtë mbrëmje në “Top Story” për shifrat e turizmit, kryetari i Unionit Turistik të Shqipërisë, Rrahman Kasa, tha se një rol luan turizmi patriotik.

Sipas shifrave, 7.2 milionë turistë kanë hyrë në vendin tonë në tetë muajt e parë të vitit. Por, gati gjysma e tyre janë shqiptarë, thotë Kasa.

“Turistë është ai që kalon 24 jashtë vendit të vet. Kështu që, quhen turistë. Por, ne rrethohemi si shtet nga shqiptarë dhe kemi atë që e kemi quajtur turizëm patriotik. Kemi edhe emigrantët e diasporës. Nëse do të heqim këta shqiptarë apo emigrantë, ndoshta do të kemi përgjysmimin e këtij numri. Një turist polak shpenzon rreth 100 euro në ditë. Po shqiptarët, a shpenzojnë kaq? Dhe duhet ndarë, vijnë për qëllime biznesi, pushime apo arsye të tjera?”

Ndërsa deputeti Dashamir Shehi shprehet se turizmi është bërë faktor i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë, por duhen politika të qëndrueshme.

“Turizmi është bërë faktor ekonomik. Është frut i vendit të bukur që kemi, i investimit që kanë bërë mijëra njerëz në vend. Që kjo të qëndrojë e rëndësishme, nuk duhet mbyllur te zhurma që bën zoti Rama. Duhet një politikë afatmesme njëherë, pastaj afatgjatë.

Kemi tri avantazhe. Jemi në mes të trekëndëshit më të madh turistik, me Italisë, Greqisë dhe Kroacisë. Avantazhi i dytë është që kemi ujëra të pastra. Avantazhi i tretë është se duke qenë në fillim, kishim shansin për të mos gabuar”.

Nga tregu lokal, kemi hyrë në treg ndërkombëtar të turizmit, sipas Shehut.