Kosova
Shqipëria hap dyert për studentët nga Lugina e Preshevës
Hasani: Bursa studimi në universitet, akomodim falas dhe mundësi punësimi
Nisma e Ministrisë shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme “Për shqiptarët në rajon”, nisi sot me bursat e studimit, që pesë universitete shqiptare do të ofrojnë çdo vit akademik për studentë të Luginës së Preshevës.
Ministri i Jashtme, Igli Hasani, deklaroi sot se studentët nga Lugina e Preshevës do të përfitojnë bursa studimi në universitetet shqiptare.
Në konferencën e përbashkët për shtyp të ministrit Hasani, kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Nevzad Lutfiu dhe rektorit të universitetit “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, Bektash Mema, për nismën “Për shqiptarët në rajon: Mundësi studimi për studentët e Luginës së Preshevës”, mbajtur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Hasani u shpreh se do të jenë 30 bursa në vit, duke filluar nga viti tjetër akademik 2024-2025.
Fillimisht Hasani uroi “gëzuar 7 Marsin, këtë ditë simbolike të mësimdhënies, duke u përçuar një falënderim të posaçëm mësuesve për ndryshimin frymëzues që ata sjellin”.
“Jam i lumtur që pikërisht në këtë ditë kaq të rëndësishme, mirëprita një grup miqsh nga Këshilli Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës dhe nga disa universitete kryesore në Shqipëri, për të diskutuar mbi një nismë të rëndësishme bashkëpunimi në fushën e arsimit universitar”, tha ai.
Konkretisht, theksoi Hasani, “duke filluar nga viti akademik 2024 – 2025,30 studentë, vajza dhe djem nga Lugina e Preshevës do të kenë çdo vit mundësinë të kryejnë studimet universitare në Shqipëri, duke përfituar bursa studimi dhe akomodimin falas përgjatë gjithë periudhës së studimit”.
“Jo vetëm kaq, por duke ndjekur modelin që ka propozuar Bashkia e Gjirokastrës dhe Universiteti i Gjirokastës, e cila e ka nisur projektin që në tetor të vitit të kaluar, studentëve mund t’u ofrohen edhe mundësi punësimi në Shqipëri gjatë muajve të verës.
Falënderoj nga zemra të gjithë ata që kanë punuar për këtë projekt: miqtë nga Presheva, posaçërisht Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Nevzad Lutfiu; drejtuesit e universiteteve të Gjirokastrës, Vlorës, Elbasanit, Shkodrës dhe Tiranës, por edhe përfaqësinë e Republikës së Shqipërisë në Serbi, për punën e mirë që kanë bërë”, tha Hasani.
Kjo ditë, shtoi ministri, “shënon një tjetër moment të rëndësishëm të mbështetjes për arsimin e bashkëkombësve tanë në Luginën e Preshevës nga ana e Shqipërisë, pas kontributit të dhënë nga Bashkia e Tiranës me fonde e donacione për rikonstruksionin e shkollave dhe palestrave sportive për nxënësit shqiptarë, në komunat e Preshevës dhe Bujanocit”.
Hasnai theksoi se, “nuk është e rastësishme që Shqipëria ka zgjedhur pikërisht arsimin si fokusin kryesor të mbështetjes për Luginën. Ne besojmë që pikërisht nga arsimi fillon e gjithë përpjekja për fuqizimin dhe rivitalizimin politik, ekonomik, kulturor e social të këtij komuniteti të bashkëkombësve tanë të cilët përballen me një situatë jo të lehtë dhe meritojnë të gjithë mbështetjen tonë”.
Por, vijoi ai, “edhe pse fillon me arsimin, angazhimi i Qeverisë Shqiptare për të mbështetur qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk mbaron këtu. Ky angazhim nuk përfshin vetëm Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme apo vetëm universitetet e bashkitë, sepse këtu bëhet fjalë për një vullnet të qartë e të shprehur të qeverisë shqiptare, të Kryeministrit Edi Rama, për të mbështetur në çdo fushë e përmes sa më shumë nisma konkrete për vëllezërit e motrat tona në Preshevë”.
Kështu, nënvizoi ai, “Shërbimi ynë i Jashtëm ka bërë një punë të mirë për të dakordësuar bashkëpunimin mes Unionit të Afaristëve Shqiptarë dhe Fondit Humanitar të Luginës së Preshevës me Dhomat e Tregtisë e Industrisë së Tiranës dhe Këshillin Kombëtar të Agro-bujqësisë”.
Ndërkohë, shtoi Hasani, “janë duke u shqyrtuar me shumë prioritet, mënyrat sesi mund të ofrohet për Luginën, mbështetje për specializime në fushën e mjekësisë dhe të zhvillimit të praktikave mjekësore pranë spitaleve shtetërore apo private në Shqipëri, por mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe medies”.
Përveç këtyre nismave, Hasnai u shpreh se “në të ardhmen e afërt, objektivat tona do të materializohen edhe me projekte të tjera në ndihmë të komunitetit shqiptar. Së pari, për të frenuar pasivizimin e adresave, çka padyshim është diçka që na shqetëson shumë.
Së dyti, për njohjen e diplomave dhe thellimin e shkëmbimeve kulturore, ekonomike e tregtare, sepse besojmë se kjo do të kontribuojë në afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i cili përbën edhe një kriter të procesit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Thellimi i bashkëpunimit me faktorin shqiptar, kudo në rajon, garantimi i të drejtave të tyre të gjithë shqiptarëve dhe fuqizimi i tyre politik, social e ekonomik, janë prioritete të punës tonë”.
Hasani i siguroi shqiptarët e Luginës se, “këtu do të gjejnë gjithmonë derën e hapur dhe gatishmërinë maksimale për të punuar së bashku me nisma dhe projekte konkrete që do t’u vijnë në ndihmë bashkëkombësve tanë kudo që ata jetojnë e punojnë në Luginën e Preshevës”.
E-Diaspora
-
Kosovë: Kërkesa për shtimin e qendrave të votimit për diasporën shihet si ndërhyrje e qeverisë në procesin zgjedhor Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025 tash e disa kohë po zhvillohet fushatë...
-
“Tri Net Film Fest”, në kërkim të historisë përmes filmit shqiptar
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
Jeta në Zvicër
-
“Falë Granit Xhakës, unë jam dikushi”, thotë i riu i hendikepuar, Musa Musiqi 21-vjeçari nga Zvicra Lindore vuan nga paraliza cerebrale për shkak të një hemorragjie të trurit në...
-
Një në nëntë zviceranë investojnë në kriptovaluta
-
A janë të hapura vendet e punës në administratën publike në Zvicër për të huajt?
-
Një tren i ri nëpër hekurudhat e Zvicrës
-
Identifikohet rritje mallrash të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme