Lajme

Shqipëria gati për pritjen e Papës

Udhëtimi apostolik i Papa Françeskut në Shqipëri do të zgjasë 12 orë, ndërsa kjo është vizita e parë zyrtare e Papës në Evropë prej që ai mori timonin në Vatikan

Autoritetet shqiptare i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ta pritur Papa Françeskun, i cili më 21 shtator viziton Shqipërinë. Kjo ditë, siç ka thënë koordinatori i kësaj vizit, Albert Nikolla, konsiderohet shumë domethënëse për shqiptarët, por edhe vetë Papën.

Në një konferencë të Kishës Katolike, Nikolla tha se më 21 shtator të vitit 1953, Papa Françesku i cili ishte vetëm 17 vjeç, “iu dorëzua Zotit”.

Sipas agjendës se publikuar nga krerët e Kishës Katolike, Ati i Shenjtë shkel tokën shqiptare në aeroportin e Rinasit në orën 9:00 të mëngjesit të 21 shtatorit.

Për mbërritjen e Papa Franceskut do të organizohet në aeroportin “Nëne Tereza” një pritje zyrtare nga kryeministri Edi Rama, dhe më pas Ati i Shenjtë do të niset drejt Tiranës me eskortën e tij.

Udhëtimi apostolik i Papa Françeskut në Shqipëri do të zgjasë 12 orë, ndërsa kjo është vizita e parë zyrtare e Papës në Evropë prej që ai mori timonin në Vatikan.

Për të përgatitur këtë vizitë të rëndësishme, qeveria shqiptare ka marrë masa të shumta.

Në rrugën nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit, janë vendosur flamuj në të dyja anët e saj. Rruga drejt sheshit “Nënë Tereza”, ku edhe do të mbahet mesha solemne, është shënjuar gjithashtu nga vendosja e flamujve, por edhe portretit të Papës nëpër banderola.

Papa Françesku do të udhëtojë për një vizitë në Turqi në nëntor të këtij viti. Udhëtimi konfirmohet nga Vatikani, menjëherë pasi ka marrë ftesën nga presidenti i Turqisë më 12 shtator. Papa Françesku pritet që të arrijë në Stamboll më 30 nëntor.