Shqipëria

Shqipëria, gati për hapjen e sezonit turistik

Shqipëria është gati për të hapur edhe zyrtarisht sezonin turistik. Ndryshe nga tre vjetët e fundit, ku për shkak të pandemisë së COVID-19 pasoja që solli ajo më pas dhe fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, viti 2023 duket ndoshta më optimisti dhe premtuesi deri më tani, ku në 4 muajt e parë të këtij viti është rritur ndjeshëm fluksi i turistëve të huaj.

Rritja e temperaturave ka bërë që turistet të vërshojnë nga bregdeti i Velipojës dhe deri në Sarandë, teksa ka kërkesë të lartë edhe për turizmin malor, shkruan euronews albania, transmeton albinfo.ch.

Shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve tregojnë se hyrjet e të huajve u rritën me 62% vetëm në muajin mars në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkurti shënoi gjithashtu rritje dyshifrore.

Këto shifra mbështeten nga operatorët turistikë, të cilët nënvizojnë se është rritur numri i grupeve që zgjedhin vendin tonë për turet kulturore, por që kanë rritur rezervimet e tyre edhe tek turizmi i rërës dhe detit.