Lajme

Shqipëria, e pesta në Evropë për nga numri i vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës

Sëmundjet e qarkullimit të gjakut duket se janë ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në Shqipëri.

Sipas një studimi të Eurostat dhe INSTAT, Shqipëria renditet e pesta në Europë sa i takon numrit të vdekshmërisë që vjen prej sëmundjeve të zemrës dhe tensionit, me 53.7% të totalit të vdekjeje, përcjell albinfo.ch.

Listën e kryeson Bullgaria me 66% të totalit të vdekjeve që kanë ardhur nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, e ndjekur nga Rumania, Lituania dhe Letonia.

Shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare janë jeta sedentare, dieta e pakontrolluar dhe konsumi i alkoolit apo duhanit.

Ulja e moshës së vdekshmërisë nga kjo sëmundje, veçanërisht te meshkujt, shihet si alarmante. Sipas të dhënave të INSTAT, 32 persona në ditë kanë ndërruar jetë nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut gjatë 2019-ës.

Ndryshe, sëmundjet e zemrës renditen të parat sa i përket vdekshmërisë në botë, duke u pasuar nga sëmundjet malinje.