Shqiperia

Shqipëria do të pranojë mbi 15 mijë doza të Pfizerit

Në raportin e fundit, autoritetet në Shqipëri njoftuan se të hënën në mbrëmje do të pranojnë 15.210 doza të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë amerikane Pfizer, transmeton albinfo.ch.

Vlen të theksohet se ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Orgeta Manastirliu, njoftoi se me këtë kontingjent të ri do të përfundojë vaksinimi i stafit mjekësor dhe do të vazhdojë vaksinimi i personave mbi 80 vjeç.

“Brenda dy javëve të para të marsit pritet të mbërrijnë edhe 14.400 vaksina të AstraZenecas, me të cilat do të vijojmë vaksinimin, duke pasur prioritet mësuesit”, tha Manastirliu.

Shqipëria, pothuajse në baza javore, po pranon kontingjente të dozave të vaksinës së Pfizer-it.

Deri më tani, Tirana zyrtare ka pranuar 17.355 doza të vaksinës së Pfizer-it.

Fushata e vaksinimit në Shqipëri nisi më 11 janar.

Në bazë të kontratës së nënshkruar me kompaninë Pfizer, Shqipëria pritet të marrë mbi 500 mijë doza të vaksinës.

Gjatë muajit shkurt, kryeministri i Shqipërisë kishte njoftuar se nga kompania farmaceutike britanike, AstraZeneca, pritet të marrin në total 360.000 doza të vaksinës, të dhuruara “nga një shtet mik”, por pa treguar se nga cili shtet do të merren këto doza.

Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka nisur vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit, pasi ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës.

Autoritetet në Prishtinë kanë thënë se në fillim të marsit pritet të vijë kontingjenti i parë i vaksinave të AstraZenecas, të cilat Kosova i ka siguruar përmes programit COVAX.

Programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vendet e varfra.

Nga ky program, Kosova është thënë se do të përfitojë falas doza për vaksinimin e 20 për qind të popullsisë.