Lajme
Shqipëria arrin rekord: 570 milionë euro kursime gjatë pandemisë
Depozitat shënuan rritje të ndjeshme në vitin 2020, që është përshpejtuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë.
Stoku i kursimeve në vend arriti në 1.11 trilionë lekë, ose gati 9 miliardë euro, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90. Në raport me vitin e mëparshëm, depozitat u zgjeruan me 8.2%. Kjo është rritja më e lartë që prej vitit 2011.
Tendenca e rritjes së depozitave është vërejtur në gjithë Europën, ku pasiguria për të ardhmen dhe pamundësia për të shpenzuar pas kufizimit të udhëtimeve ka nxitur konsumatorët që të kursejnë më shumë.
Në krahasim me muajin shkurt, që përkon me periudhën para pandemisë, kursimet në banka janë shtuar me rreth 70 miliardë lekë, ose rreth 570 milionë euro, shkruan monitor.al, transmeton Albinfo.ch.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur rritja e depozitave u udhëhoq nga valuta, ndërsa kursimet në lekë ishin të vakëta (si rrjedhojë e rënies së normave të interesit nga viti 2012), në periudhën e pandemisë kursimet janë orientuar nga leku. Depozitat në monedhën vendase u rritën me 11% në 2020-n, duke ndikuar në rreth 60% të rritjes. Ky është një tregues indirekt se depozitat janë nxitur më së shumti nga kursimet e brendshme. Në vlerë absolute, shtimi i depozitave në lekë (me rreth 51 miliardë lekë) shënoi nivelin më të lartë rekord që prej vitit 2007, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Në monedhën vendase janë rritur si kursimet e individëve, ashtu dhe ato të korporatave financiare, por mbi 90% e parave janë vendosur në llogari rrjedhëse, kryesisht për shkak të interesave të ulëta që ofrohen për kursimet afatgjata.
Edhe depozitat në valutë kishin ecuri të mirë, duke u rritur me 6% në 2020-n me bazë vjetore. Rritja e tyre ka ndjekur tendenca sezonale, në gusht dhe në dhjetor, në linjë me prurjet e emigrantëve.
Për valutën, rritja ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të vendosjes së parave në llogaritë rrjedhëse, si nga bizneset, ashtu dhe individët.
Rritja më e shpejtë e depozitave në lekë ka bërë që kursimet në monedhën vendase në fund të 2020-s të zënë 46.5% të totalit, nga 45.5% që ishte kjo peshë në fund të vitit 2019.
E-Diaspora
-
Vjenë
Një jetë kushtuar violinës Valbona Naku, violiniste profesioniste me famë botërore...
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor