Shqipëria

Shqipëri: Vazhdon debati për ndalimin e TikTok-ut, kompania dështoi moderimin e postimeve në gjuhën shqipe

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Shqipëri, Taulant Balla reagoi ndaj deklaratave në media kundër mbylljes së TikTok-ut për një vit në Shqipëri.

Ai u shpreh se, platforma TikTok nuk e përmbushi detyrimin që mori përsipër për moderimin e postimeve në gjuhën shqipe, rritjen e vigjilencës kundër dhunës, kundër shantazheve, kundër gjuhës së urrejtjes online dhe forcimin e kontrollit prindëror mbi postimet e fëmijëve.

“Sa herë ka ndodhur një ngjarje e rëndë me humbje jete të personave të shantazhuar, bullizuar, dhunuar online, në këto banaqet e darkës gara mes të ftuarve ka qenë kush t’i gjejë defektet dhe ngrejë akuza TikTokut”, shkroi Balla në një postim në rrjetet sociale.

“Është fakt se kjo platformë nuk e përmbushi detyrimin që mori përsipër për moderimin e postimeve në gjuhën shqipe, rritjen e vigjilencës kundër dhunës, kundër shantazheve, kundër gjuhës së urrejtjes online dhe forcimin e kontrollit prindëror mbi postimet e fëmijëve”, u shpreh Balla.

“Sonte po shoh t’i qajnë hallin TikTok-ut, aspak viktimave. Nuk çuditem”, u shpreh Balla.

“Ndalimi i TikTok-ut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i duhur që gëzon mbështetjen e një shumice dërrmuese mes komuniteteve të prindërve dhe shoqërinë shqiptare”, nënvizoi Balla.