Lajme

Shqipëri: Shalqinjtë dhe domatet mbushen me stimulant e hormone

Një televizion shqiptar zbuloi se fermerët përdorin stimulantë dhe hormone në rritjen dhe pjekjen e fruta-perimeve në hambarin e Shqipërisë, në Myzeqe

Fermerët shqiptar po përdorin pesticide dhe stimulant të ndryshëm hormonal për t’i skuqur dhe pjekur para kohe frutat dhe perimet e tyre, me qëlim që t’i plasojnë në treg. Në një raport që është zhvilluar në fushën e Myzeqesë, respektivisht në Lushnje dhe Berat, gazetarët e TCH zbuluan se dora e parë e domateve ishte me hormone, madje fermerët vijonin t’i lyenin për skuqje nga jashtë.

Ndërkohë, bima e shalqirit shartohet me një bimë kungulli, me qëllim që kokrra të jetë sa më e madhe. Më pas, kjo bimë, gjysmë shalqi dhe gjysmë kungull, stimulohet me plehra kimikë me qëllim rritjen e kokrrës dhe pjekjen sa më të shpejtë.

Për të dyja këto produkte, gazetarët e Fiks Fare shkuan direkt te fermerët, duke u bërë një pyetje të thjeshtë: A i konsumojnë vetë produktet e tyre?. Përgjigjja e tyre ishte – jo. Madje treguan edhe “bëmat” e tyre.

Sipas fermerëve, bima e shalqirit fillimisht shartohet me kungullin dhe si rezultat dalin shalqinj (bostanë) të mëdhenj, por jo të shijshëm.

Ndërkaq në zonën e Divjakës, duke i pyetur direkt fermerët se çfarë përdorin për shalqirin.

“Kanë ushqim…kanë ilaçe nuk hahen. Nuk ta jap dot”, thotë një fermer.

Më pas, gazetarët shkojnë edhe në tregun e shumicës në Divjakë, duke pyetur direkt fermerët se çfarë përdorin.

“Nuk e hamë vetë shalqirin…Nuk është si më përpara fosfati në fillim, vetëm me nitratin dhe bëheshe kishe qejf të ngjiste dora”, thotë fermeri, ndërsa shton se bima është e ushqyer dhe e ndikuar me substanca të ndryshme. “Unë për vete se ha as domaten e as trangullin e as shalqirin” vijon fermeri.

Një tjetër thotë se shalqiri pa stimulant hahet vetëm në muajin gusht. “Jo, nuk ha për vete edhe fëmijëve nuk u çoj, se këta u hedhin 100 për qind plehra” vijon ai.

Javët e fundit në TCH mbërritën dhjetëra ankesa për cilësinë e domateve. Sipas tyre, domatja është e pakonsumueshme, pasi fermerët përdorin hormone. Nisur nga këto ankesa, gazetarët e Fiksit bënë një vëzhgim të thjeshtë, duke shkuar direkt te fermeri, duke i bërë një pyetje të thjeshtë: Përdorin apo jo hormone?

Në fshatin Qerret të Lushnjës, një fermer thotë se asnjëri se ka të saktë, do kenë çik bojë, çik helm. “Nuk të japin, ata që mbjellin pak për vete s’të japin”, ndërsa shton se ai vetë nuk i konsumon fare domates, pasi do jetë e kuqe jashtë, brenda s’ka shije domatet, do jetë e hidhët.

Një fermer thotë se domatja e lashtë, lyhet me qëllim skuqjen e saj. “Tani s’ka nevojë. Në fillim i lyejmë me leckë neve këtu (tregon vendin ku e lyen kokrrën e domates). Tani në qershor është gjynah ta lyejmë. I kam kapur me 700 me 800 lekë kilogramë. Përdorim helme shumë, atë seren andej e mbarova në prill unë. Unë nuk haja vetë”, thotë ai.

Gazetarët e Fiksit shkuan edhe në fshatrat e Beratit. “S’ka sot domate të mira, janë të tëra me hormone. Nëse do domate, merr domate vendi, zemërkau, ajo po u bë me hormone prishet. Unë nga ajo blej vetë, merre haje dhe jepja kalamajve. Zëmërkau është e mirë. Më përpara i kanë bërë me pesticide, ndërsa tash i pjek vapa”, thotë një fermer tjetër.