Futboll

Shqipëri: Seleksionimet me talentet e diasporës, zbulohen lojtarë shumë cilësorë

Federata e Futbollit të Shqipërisë vijoi sot me ditën e dytë të seleksionimeve Open Stage të futbollistëve të rinj shqiptarë, të cilët jetojnë dhe luajnë në Europë dhe botë. Pjesëmarrës në këtë seleksionim ishin rreth 100 djem të vitlindjes 2008.

Futbollistët e rinj u zhvilluan u angazhuan në teste fizike dhe në 5 ndeshje miqësore, nga të cilat u përzgjodhën disa lojtarë për ndeshjen finale. Djemtë u ndoqën nga afër nga trajnerët e ekipeve Kombëtare, stafi i Drejtorisë Teknike dhe përgjegjësi i skautizmit në FSHF, Ardi Behari.

Përgjegjësi i skautizmit në FSHF, Ardi Behari dha një prononcim për fshf.org mbi ecurinë e Open Stage dhe pritshmëritë mbi prurjet e këtij viti.

“Me plot gojë mund të them që jemi të kënaqur me prurjet, jo vetëm në sasi, që nënkupton se sensibilizimi, dëshira dhe interesi është i madh. Por ajo që na kënaqi pardje është cilësia. Mendojmë se makro listës së datëlindjes 2007 i shtohen edhe 4-5 elementë të tjerë që e bëjnë këtë grup më të fortë, ose minimalisht që kanë shtuar bazën e përzgjedhjes për skuadrën e 2007-ës. Në këtë aspekt jemi shumë të kënaqur nga datëlindja 2007”, – u shpreh Behari mbi ditën e parë të seleksionimeve, transmeton atsh përcjell albinfo.ch.

“Sot jemi duke zhvilluar datëlindjen 2008. Interesi është i jashtëzakonshëm. Do të zhvillohen 5 ndeshje radhazi dhe një finale më të përzgjedhurit e gjithë ditës, ku aty do të shikojmë më mirë vlerësimet për secilin lojtar. Shumë të rëndësishme janë minutat që secili lojtar ka në dispozicion, pozicionet ku ata luajnë në klubet e tyre dhe nevojat që çdo grupmoshë e jona ka për t’u plotësuar më këta lojtarë”, – tha Përgjegjësi i Skautizmit në FSHF.

Ardi Behari u shpreh se ka qenë i madh interesi këtë vit edhe nga skuadra cilësore, ku vlen të përmenden ekipe nga Suedia, si Malmö, Serie A, Hellas Verona, Duisburg në Gjermani, edhe ijteres i lartë nga Greqia.

“Ka një sensibilizim shumë të madh, dëshirë shumë të madhe dhe na del një detyrë e madhe për të përzgjedhur mirë, për të plotësuar të gjitha nevojat e grupmoshave tona” – shtoi ai.

Përgjegjësi i skautizmit u ndal edhe te pritshmëritë e ditës së tretë të seleksionimeve dhe te rëndësia e përzgjedhjes së lojtarëve të rinj për këtë grupmoshë.

“Nesër është datëlindja 2009, aty kemi një dyndje të madhe, ndërsa në datë 10 është datëlindja 2020-2021, të cilat kanë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, pasi aty duhet të jetë baza më e gjerë e përzgjedhjes për faktin se aty duhet të jetë baza më e gjerë e përzgjedhjes. Aty duhet të rekrutojmë lojtarë cilësorë nga të gjitha shtetet e Europës dhe Amerikës, për t’i ballafaquar me lojtarët tanë. Duhet thënë se nga krijimi i shkollave Elite Youth të dy datëlindjeve, 2010 dhe 2011, baza që kemi në dispozicion është shumë e mirë. Lojtarët që vijnë nga jashtë duhet të bëjnë diferencë shumë të madhe për të arritur të bëhen pjesë e kësaj përfaqësueseje”.

Në fund, Behari ndau që ka një interes të veçantë nga Amerika, gjë që rrit sensin e përgjegjësisë së stafit që bën vlerësimet e lojtarëve.

“Sot janë duke luajtur 4 lojtarë nga Amerika, kjo na kënaq dhe shton përgjegjësinë, sepse duhet të jemi shumë të saktë në përzgjedhjen e tyre, për të qenë sa më korrektë me veten në radhë të parë dhe me lojtarët dhe familjen e tyre që bëjnë shpenzime për të ardhur për të bërë këtë test. Deri tani jemi në rrugë të mbarë dhe shpresoj që dhe ditët në vazhdim të jenë të tilla” – përfundoi Ardi Behari.

Ndërkaq, nesër do të zhvillohet dita e tretë e seleksionimeve për të lindurit e vitit 2009, ndërsa në datën 10 dhjetor është dita e fundit e Open Stage, ku do të vlerësohen lojtarët e vitlindjes 2010/2011.