Shqipëria
Shqipëri: Rritet eksporti i vezëve pas rritjes së çmimeve në treg
Prodhuesit e vezëve në Shqipëri po përjetojnë një situatë pozitive, për shkak të rritjes së kërkesës për këtë produkt në Europë.
Në janar 2023, eksportet e vezëve janë 3-fishuar në sasi në raport me muajin janar 2022, duke arritur në 217 mijë kg. Në vlerë, eksportet u pesëfishuan, për shkak të çmimit më të lartë, duke arritur në gati 53 milionë lekë.
Në 10 vitet e fundit, sipas të dhënave të doganave, kjo është sasia më e lartë e eksportit të vezëve për periudhën e muajit janar. Rritja e eksporteve ka nisur që muajin dhjetor 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021 eksportet janë 24 herë më të larta, shkruan monitor përcjell albinfo.ch.
Shkak i shtimit të eksporteve është mungesa e vezëve në tregun europian dhe SHBA. Shpërthimet e gripit të shpendëve në SHBA dhe Europë kanë vështirësuar furnizimet që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.
Për muajin janar 2023, sipas të dhënave të doganave, eksportet janë kryer nga 4 kompani prodhuese. Një nga kompanitë “Veza e Mëngjesit” tha për “Monitor” se aktualisht po eksporton vezë për industrinë e ushqimit në Kroaci dhe Greqi, si dhe për konsum në Serbi. Përfaqësues të kompanisë thanë se rritja e eksporteve ka ardhur për shkak të mungesës së vezëve në këto tregje.
Në muajin janar 2023, eksportet në vlerë u rritën 5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar sipas të dhënave të Doganave. Operatorë të tregut pohuan se krahasuar me vitet e kaluara eksportet janë me çmim më të lartë, çka u mundëson atyre të kompensojnë kostot e larta nga TVSH-ja dhe për herë të parë të rrisin fitimet.
Por rritja e çmimit të vezëve për eksport ka sjellë një rritje të lehtë të çmimit edhe në tregun vendas. Kompanitë thonë se çmimi maksimal i vezëve nga pularitë ka arritur në 19 lekë për kokërr nga 17,5 deri në 18 lekë që shitej më parë.
Në tregun e pakicës, veza e hapur po tregtohet me 24 lekë nga 23 lekë që ishte. Para valës së rritjes së drithërave për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vezës me shumicë nga fermat blegtorale ishte 13 lekë për kokërr, ndërsa në tregun e pakicës 16 lekë për kokërr.
Rritja e çmimit të vezës në muajin mars në Shqipëri u ndikua edhe nga mungesa e produktit për shkak të ngordhjes së shpendëve nga influence aviare. Nga ekspertët u vlerësua se në vend ngordhën 500,000 krerë pula. Prodhimi në ferma përpara virusit ishte 1,350,000 vezë/ditë. Kompanitë pohuan se në atë periudhë nga ngordhja e shpendëve prodhimi u reduktua 50%.
Gripi i shpendëve shton mungesën dhe rrit çmimet e vezëve në Europë dhe SHBA
Prej 2 muajsh kutia e vezëve po kthehet në simbolin e inflacionit të çmimeve në SHBA dhe për disa shtete të Europës. Reduktimi i ofertës ka sjellë rritje të çmimeve. Shkaku kryesor i mungesës së vezëve duket të jetë gripi i shpendëve, më formalisht i referuar si gripi patogjen i shpendëve (HPAI).
Që nga 23 janari 2023, shifrat e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë tregojnë se 58,1 milionë pula janë prekur nga gripi i shpendëve në 47 shtete të SHBA.
Në fund të nëntorit 2022, BBC e përshkroi valën aktuale të gripit të shpendëve si “më e keqja ndonjëherë në Europë dhe në SHBA”.
Reduktimi i ofertës së shpendëve që bëjnë vezë ka sjellë rritje të çmimeve.
Në fillim të muajit janar në SHBA është shënuar çmimi më i lartë i vezëve duke arritur në 5,3 USD nga 1,93 USD/dozen që ishte në janar 2022. Çmimi ishte gati 2 fish më i lartë. Prej 3 ditësh në SHBA çmimi i vezëve është ulur 50% në raport me fillimin e muajit janar. Shkak i rënies së çmimit janë eksportet e vezëve nga Meksika, ku në shumë raste u tentuan të futen edhe kontrabandë.
Në BE, vendet që janë më të prekura nga rritja e çmimeve janë Hungaria (125.4%), Gjermania (106%) dhe Holanda (90.6%).
Përveç gripit të shpendëve, industria në mbarë botën është prekur nga rritja e kostove të prodhimit, duke përfshirë ushqimin e pulave, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje