Shqipëria
Shqipëri, rënia më e madhe ekonomike në 23 vjet
Së fundi, INSTAT raportoi se ekonomia ra me 10.2% në tremujorin e dytë të vitit, në kulmin e pandemisë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia është më e thella që nga viti i krizës së piramidave në vitin 1997, por, nga ana tjetër, në krahasim me shtetet e tjera që u goditën po aq ashpër, është më e moderuar.
Thuhet se tkurrja në të njëjtën periudhë ishte më e thellë në Maqedoni (-12.7%) dhe Kroacinë turistike (-15%), ndërsa Kosova nuk i ka publikuar ende të dhënat. Edhe shtetet e Europës u tkurrën mesatarisht me 14.8%. Në rajon, më lehtë po e kalon krizën Serbia, që u tkurr me 6.5%. Ky i fundit po shijon frytet e një politike të konsoliduar fiskale, që i dha mundësinë të shpenzonte më shumë me paketa mbështetëse, si dhe ekonominë e diversifikuar që është mbështetur vitet e fundit në zhvillimin e teknologjisë së informacionit.
Po ashtu, Shqipëria u “shpëtua” nga pesha e lartë që ka bujqësia në Prodhimin e Brendshëm Bruto, me rreth 19%, që është më e larta në Europë, me një diferencë prej 10 pikë përqindje me Kosovën si vendi i dytë bujqësor në Europë. Në Maqedoni, bujqësia zuri 7.9% të PBB-së, në Malin e Zi 6.8%, në Turqi 6.1%, në Serbi 6%, në Bosnjë 5.6% dhe në Kosovë 9.1%.
Pesha e sektorit vjen gjithnjë e në ulje në vendet e Europës, ku pesha e bujqësisë luhatet mes 0.5 deri në 3% të PBB-së. Ky sektor i ndjeu pak pasojat e krizës dhe ishte ndër të paktët që rezultoi me rritje në tremujorin e dytë, ndonëse për ironi vendi importon një pjesë të madhe të produkteve ushqimore, edhe nga fqinjët që kanë peshë më të ulët të bujqësisë në ekonomitë e tyre. Sektori tjetër real i ekonomisë shqiptare, pa bujqësinë, që amortizoi goditjen e pandemisë, vlerësohet të ketë rënë rreth 14-15%.
Aktiviteti i dytë, i cili paradoksalisht ndikoi pozitivisht në ecurinë ekonomike në tremujorin e dytë, ishte ai i aktiviteteve të pasurive të paluajtshme. Sektori, që zë rreth 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas të dhënave zyrtare, shënoi një rritje prej 5.5% në tremujorin e dytë me bazë vjetore. Themi paradoksalisht, pasi në vendin më të varfër të Europës, që po pakësohet dita-ditës për shkak të emigracionit të pandalshëm, në prill-maj, kur pothuajse gjithçka ishte e mbyllur, shënoi rekordin historik të shitjeve, të paktën që prej tremujorit të parë 2008, kur INSTAT raporton të dhënat e PBB-së me çmime korente.
Që prej tremujorit të parë 2018, ky sektor po vijon me rritje të fortë, sipas të dhënave zyrtare, duke kanalizuar në ndërtim e real estate paratë informale, që në fakt nuk po i sjellin asgjë të mirë vendit, përveç fryrjes së çmimeve dhe zhvlerësimit të kursimeve të shqiptarëve.
Kantieri i ndërtimit në kryeqytet, me çmime që arrijnë deri në 4 mijë euro për metër katror, ndër më të shtrenjtat në rajon, por edhe Europë (nëse i krahasojmë me fuqinë blerëse), nuk po i shërben zhvillimit të vendit, dhe as arrin të krijojë iluzionin e një ecurie të qëndrueshme ekonomike. Për më tepër që, nëse do të ekzistonte vullneti politik për të luftuar seriozisht hyrjen masive të parasë së paligjshme në ekonomi, kjo do të çonte në shfryrjen e një flluske të madhe.
Në fakt, edhe institucionet ndërkombëtare, nuk “gënjehen” nga ky iluzion, përkundrazi. Vetëm javën e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikoi me ulje pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit, nga -5% që priste në vlerësimin e prillit, në -7.5% në raportin e fundit. Fondi e vuri theksin edhe në shumë probleme të vendit, që po kthehen në strukturore, si dobësitë e financiare publike, rreziqet që vijnë nga Partneritetet Publike-Private, një sistem tatimor i komplikuar, kompleks dhe i fragmentuar, me ndryshime të shpeshta ‘ad hoc’, që e kanë cenuar stabilitetin dhe transparencën.
Fondi ritheksoi këshillën kundër një amnistie fiskale të mundshme, duke marrë për bazë shqetësimet lidhur me ndikimin që ajo ka mbi zbatueshmërinë e detyrimeve tatimore, si dhe me risqet e lidhura me pastrimin e parave dhe qeverisjen. Edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në raportin e fundit, e la të pandryshuar pritshmërinë për ecurinë e vendit në vitin 2020, duke pritur një rënie prej 9%, ndërsa rishikoi në ulje me 7.5 pikë përqindje parashikimin për vitin 2021, duke zbehur shpresën për një rimëkëmbje të shpejtë.
Është e vërtetë që ringritja do të jetë e vështirë (pritshmëritë janë që niveli i PBB-së së parakrizës të arrihet vetëm pas vitit 2021), por është në dorën e politikave qeveritare për të shfrytëzuar këtë moment, si një pikë kthese në ekonomi, përtej interesave të ngushta, në të mirë të vendit!
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje