Shqipëria

Shqipëri: Punët e bujqësisë kanë mbetur në duart e grave

Bujqësia ka një peshë të konsiderueshme në ekonominë shqiptare, duke u përgjigjur për 19% të PBB-së së vendit, po ashtu edhe punësimi në këtë sektor, edhe pse janë punëtorët vendas, paguhen më së paku në rajon.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se pesha e punëve të bujqësisë në Shqipëri u ka rënë grave. 47% e grave të punësuara punojnë në sektorin e bujqësisë, përkundrejt 35.4% të burrave, mbi 10 pikë përqindje diferencë, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Në vitin 2014, më shumë se 50% e grave të punësuara në vend punonin në sektorin e bujqësisë në Shqipëri.

Ndryshe nga Shqipëria, struktura e punësimit në vendet e rajonit zë një peshë më të ulët, ndërsa burrat janë më të punësuar në këtë sektor në krahasim me gratë.

Sipas të dhënave nga “Instat”, për vitin 2018, paga mesatare e një të punësuari në bujqësi në Shqipëri ishte vetëm 291 euro, më e ulëta në rajon.

Në Serbi, rreth 20% e burrave të punësuar punojnë në bujqësi, përkundrejt 16% të grave. Paga mesatare sipas statistikave zyrtare të Republikës së Serbisë në sektorin e bujqësisë ishte 550 euro më 2018.

Edhe në Bosnjë e Hercegovinë sektori i bujqësisë ka një peshë të konsiderueshme në punësim. Megjithatë edhe në Bosnjë burrat kanë një peshë më të lartë përkundrejt grave, ku ata përgjigjen për 19.% të të punësuarve, ndërsa gratë 18.6%.

Në Maqedoni 16.9% e burrave dhe 15.6% e grave janë të punësuar në këtë sektor. Megjithatë pagesa është më e kënaqshme se të punësuarit në Shqipëri. Referuar të dhënave zyrtare të statistikave të Maqedonisë së Veriut, paga mesatare në sektor për vitin 2018 ishte 460 euro.

Mali i Zi përgjigjet për pagën mesatare më të lartë në rajon për sektorin e bujqësisë, ndonëse të punësuarit në këtë sektor atje janë më të paktë krahasuar me vendet e tjera. Rreth 7.1% e burrave dhe 8.2% e grave punojnë në bujqësi, sipas Bankës Botërore.

Me zhvillimin e vendeve, përqindja e popullsisë që punojnë në sektorin e bujqësisë, gjuetisë dhe peshkimit po bie. Më shumë se dy të tretat e popullsisë në vendet e varfra punojnë në bujqësi, përkundrejt më pak se 5% në vendet e pasura.

Përmirësimi i produktivitetit në këtë sektor sjell reduktimin e vendeve të punës, si dhe reflekton paga më të larta, si në rastin e Malit të Zi, shkruan monitor, përcjell albinfo.ch.