Shqipëria

Shqipëri: Projekt për mbushës të veturave elektrike në qytetet bregdetare

Vendosja e stacioneve të karikimit për makinat elektrike pritet të fillojë nga zonat turistike dhe pikat kufitare në vend.

Të paktën kështu specifikon një dokument i Agjencisë së Efiçiencës së Energjisë, e cila hapi këtë të hënë një tender të lidhur me këtë aspekt.

Në objekt të kontratës është “Realizim punimesh, projekt zbatimi dhe Auditimit për vendosjen e stacioneve të karikimit për makinat elektrike në qytetin Sarandë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shkodër, Korçë dhe në pikat kufitare- rruga e energjisë së pastër”.

Sipas termave të referencës që shoqërojnë procedurën, thuhet se ky është një projekt pilot auditim projekt zbatimi dhe realizim punimesh për vendosjen e stacioneve të karikimit për makinat elektrike në qytet Sarandë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shkodër, Korçë dhe në pikat kufitare- rruga e energjisë së pastër.

“AEE ka përfunduar një studim për sektorin e transportit, për ngritjen e rrjetit të karikuesve të makinave elektrike dhe mbështetur mbi këtë studim do të vazhdohet me procesin e implementimit dhe fillimin e ngritjes së rrjetit të karikuesve të makinave elektrike. Gjithashtu gjatë vitit 2021 e në vazhdim AEE ka instaluar në qytetin e Tiranës 4 karikues makinash AC 22kW dhe 1 DC 350 kW si dhe gjatë vitit 2022 ka në proces instalimin e një karikuesi DC 50 kW në qytetin e Shkodrës.

Mbështetur në Planin Kombëtar të Veprimit për Energjinë dhe Klimën në lidhje me sektorin e transportit vendi ynë ka si detyrim uljen e konsumit të karburanteve fosile si dhe ndotjes së ambientit që vjen prej tij. Për këtë qëllim objektivi i qeverisë shqiptare është instalimi i 200 deri 300 stacione karikimi deri në vitin 2025 në të gjithë vendin.

AEE po bashkëpunon me qeverinë shqiptare si dhe me institucione ndërkombëtare për të gjetur fondet e nevojshme për realizimin e investimeve në këtë sektor për të arritur dhe objektivat kombëtare lidhur me reduktimin e shkarkimeve të drejtpërdrejta e të tërthorta të CO2, si dhe ndikimet në mjedis, kundrejt institucioneve të Bashkimit Europian, si anëtare nënshkruese e traktatit së energjisë”, thuhet në dokument./monitor