Shqipëria

Viktimat e para nga zjarret në Shqipëri dhe Kosovë

Banorët po përballen me tmerrin e flakëve në Lunxhëri të Gjirokastrës, ndërsa është gjetur i djegur një burrë 64 vjeç, përcjell albinfo.ch.

Ai së bashku me bashkëshorten, e cila është dërguar në spital në gjendje të rëndë, po përpiqeshin të shuanin flakët në shtëpi.

Fshatrat Asim Zeneli, Arshi Lengo dhe Krina në Njësinë Administrative Lunxhëri – Antigonë po përballen me flakët.

Forcat e ushtrisë dhe banorët po përdorin çdo mjet të mundshëm për t’i shuar, ndërsa një helikopter është parë duke hedhur ujë, pritet që situata të normalizohet.

Në vendngjarje po punojnë strukturat e mbrojtjes civile dhe Forcat e Armatosura, të cilët kanë bashkëpunuar me banorët me mjete rrethanore, si me kova uji.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, bën thirrje për bashkëpunim mes banorëve në zonat e prekura nga flakët.

“U bëjmë thirrje banorëve të jenë bashkëpunues me strukturat shtetërore për të zbatuar urdhrin e evakuimit”, tha ministri.

Nga ana tjetër, një person ka vdekur në fshatin Novosellë të Malishevës.

Vdekja dyshohet të ketë ardhur nga ajri i tymosur, pasi që viktima kishte shkuar te stalla, e cila ishte përfshirë nga zjarri.

“Viktima mashkull kosovar është sjellë pa shenja jete në QKMF. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Si pasojë e kësaj vdekjeje dyshohet të jetë ajri i tymosur, pasi që viktima kishte shkuar tek stalla, e cila ishte përfshirë nga zjarri”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Tutje në këtë raport thuhet se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IM për obduksion.