Shqipëria

Shqipëri, ndëshkohen disa deputetë për dhunën në Kuvend

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend vendosi sot përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi për kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe deputetët e PD-së, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati.

Sekretariati vendosi të përjashtojë me 40 ditë 20 deputetët: Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spahodhe Dashnor Sula, transmeton atsh, përcjell Albinfo.ch.

Gjithashtu me 10 ditë është përjashtuar edhe deputeti Edi Paloka.

Mbledhja e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën zgjati më shumë se 3 orë, teksa nisi me përplasje ku deputetët e opozitës u larguan disa minuta pas nisjes pasi u përpoqën që të pengonin zhvillimin e saj.

Sekretariati i Etikës mori në shqyrtim kërkesën e PS-së për përjashtimin e 24 deputetëve demokratë pas veprimeve të dhunshme që u shoqëruan në seancën parlamentare të 30 shtatorit, me djegien e karrigeve me shishe me benzinë, hedhjen e sendeve të forta drejt kryetares së Kuvendit dhe ministrave si dhe kaosit të shkaktuar në seancë./Albinfo.ch