Lajme

Shqipëri: Ndalohet udhëtimi i kosovarëve me pasaporta të ish-Jugosllavisë

Gjatë 48 orëve të fundit mbi 100 shtetas kosovarë të pajisur me pasaporta ish-jugosllave nuk janë lejuar të kalojnë kufirin shtetëror përmes portit të Durrësit. 

Mërgimtarët kosovarë të pajisur me pasaportat e ish-Jugosllavisë janë ndaluar nga autoritetet policore të Durrësit në Shqipëri për të hipur në tragetet e linjave detare. Mërgimtarët e ndaluar kanë reaguar ndaj këtij vendimi të papritur të udhëtimit për t’u kthyer në vendet ku jetojnë.

Ata kanë thënë se  kostoja financiare është e madhe dhe rrezikojnë të humbasin edhe vendet e punës, njoftojnë mediat shqiptare.

Ndërprerja e detyruar e udhëtimit është konsideruar e papritur dhe arbitrare nga shtetasit kosovarë, pasi me të njejtën pasaportë kanë kaluar kufirin shqiptaro-malazez e më pas kanë udhëtuar nëpër Kroaci, Hungari, Slloveni e vende të tjera të Europës pa probleme.

Ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme që përmes Drejtorisë së Policisë së Shtetit ka njoftuar drejtoritë e kufirit për kërkesën e përcjellë nga Ambasada e Serbisë në Tiranë që njofton se në bazë të ligjit serb mbi dokumentat e udhëtimit të modelit të ish-Jugosllavisë, vlefshmëria e tyre ishte deri në 31 dhjetor 2010.