Kosova

Shqipëri, mbahet samiti i kryetarëve të bashkive të Rrjetit të Qyteteve Ballkanike

Gjatë punimeve të ditës së sotme të samitit, Tirana do të marrë nga Athina Presidencën njëvjeçare të Rrjetit të Qyteteve Ballkanike B40

Mësohet se në Shqipëri po mbahet takimi i kryetarëve të bashkive nga vendet e Ballkanit (B40 Tirana Summit), pjesë e Rrjetit të Qyteteve Ballkanike B40, me temë “Ndërtimi i qëndrueshmërisë urbane dhe reagimi ndaj krizave”, përcjell albinfo.ch.

Theksohet se në ceremoninë e hapjes së samitit të organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Metropolitiane të Istanbulit, Ekrem İmamoğlu, përfaqësues të tjerë të bashkive nga vendet e Ballkanit dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Në fjalën e tij në hapje të samitit, presidenti Begaj u shpreh se nisma B40 është një angazhim serioz për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe theksoi se qeverisja lokale luan një rol të rëndësishëm

“Ajo(B40) përbën një vlerë të shtuar në marrëdhëniet tona, sepse krijon mundësi për bashkëpunim në nivel lokal. Rrjeti (Rrjeti i Qyteteve Ballkanike) i ka të gjitha mundësitë të jetë shembull suksesi për një të ardhme të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, tha Begaj.

Begaj shtoi se rajoni i Ballkanit është i pasur me histori dhe diversitet kulturor. “Në Ballkan gjen shkrirjen e shumë kulturave, ideve dhe inovacionit”, tha Begaj.

Kryebashkiaku Veliaj në fjalën e tij u shpreh se duan ta kthejnë platformën e Tiranës të B40 si një platformë mësimdhënëse dhe mësimnxënëse.

“Në presidencën e Tiranës ne duam që të propozojmë një fond solidariteti për të gjitha bashkitë e rajonit tonë. Ne duam të fokusohemi shumë te demokracia lokale dhe emigracioni”, theksoi Veliaj.

Gjatë punimeve të ditës së sotme të samitit, Tirana do të marrë nga Athina Presidencën njëvjeçare të Rrjetit të Qyteteve Ballkanike B40.

Në samitin që do të vazhdojë deri më 31 janar, organizuar nën kujdesin dhe mikpritjen e Bashkisë së Tiranës, marrin pjesë dhjetëra përfaqësues të bashkive dhe komunave nga shtetet e Ballkanit.