Shqipëria
Shqipëri, katërfishohet çmimi i energjisë
Në Shqipëri, qeveria prezantoi sot një paketë të dytë masash për përballimin e rritjes së fortë të çmimeve, si dhe vendimin për zbatimin e një tarife të shtrenjtuar për energjinë elektrike, 42 lekë nga 9.5 lekë që është aktualisht, pavarësisht konsumit, për klientët familjarë do të shpenzojnë mbi një nivel prej 800 kilowat/orësh në muaj. Kryeministri Edi Rama tha se masat synojnë të mbrojnë kategoritë me të ardhura më të ulëta dhe të sigurojnë që fuqia blerëse të mos bjerë. Por, sipas opozitës, nuk bëhet fjalë për masa të veçanta, por për ndërhyrje rutinë që ndërmerren çdo vit.
Pasi e ashtuquajtura Paketë e rezistencës sociale, e miratuar në mars, e kishte shtrirjen në një periudhë tremujore, duke lënë zbuluar muajt pasues, prej 1 tetorit qeveria do të nisë zbatimin e një pakete të dytë afatmesme.
Masat e parashikuara përfshijnë indeksimin e inflacionit me 6 për qind, për pensionet, që përkthehet në 840 lekë në muaj për pensionin mesatar minimal në vend. Po ashtu rritet me 10 për qind mbështetja mujore për ndihmën ekonomike. Ndërsa dyfishohet ajo për gratë kryefamiljare me 2 fëmijë. Paketa parashikon indeksimin me 7.5 për qind të pagesave për Aftësinë e Kufizuar dhe rrit mbështetjen financiare për energjinë elektrike për të verbërit, paraplegjikët e tetraplegjikët. Punonjësit e administratës ublike do të përfitojnë një indeksim prej 7 për qind, ndërsa paga minimale rritet me 2 mijë lekë, duke u ngjitur në 34 mijë lekë.
Sa i përket biznesit, qeveria tha se do të shtojë mbështetjen financiare për naftën pa taksa për fermerët, do të vijojë që t’ja ofrojë atë pa TVSH peshkatarëve e po ashtu dhe subvencionimi i biletës së transportit publik do të mbetet në fuqi. “Me këto ndërhyrje ne besojmë se i kapërcejmë në aspektin financiar paketat e natyrës “një pako për dy apo tre muaj dhe pastaj s’ka tjetër” dhe krijojmë një bazë të rëndësishme, të zgjeruar rezistence të të gjitha këtyre kategorive, në raport me situatën e inflacionit dhe garantojmë me laps në dorë mosrënien dramatike të fuqisë blerëse, por përkundrazi vazhdimin e një lëvizjeje në ekonomi sikundër e kemi parë deri më sot”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Pjesë e paketës antikrizë konsiderohet dhe vendimi i qeverisë për të mbuluar kostot e rritura të energjisë për shkak të çmimeve stratosferike të importit. Ndërsa deri tani, për konsumatorët familjarë, çmimi ka mbetur i pandryshuar, prej 9.5 lekësh, qeveria ka vendosur të ndërhyjë për të nxitur kursimin e energjisë, duke zbatuar një çmim që i përputhet kostove, për konsumin mbi 800 kilowat/orë në muaj, e që përllogaritet të jetë 42 lekë. Kështu nëse për një konsum prej 800 kilowat/orësh në muaj do paguhet 91.200 lekë, kur konsumohet 100 kilowat/orë më tepër, pagesa për këtë sasi do të jetë prej 50.400 lekësh.
“Eshtë një çmim të cilin ne do ta mbajmë në fuqi, pra çmimi i shtuar prej 42 lekësh që i përket 801 kilovatorë e sipër do të jetë i vlefshëm deri në datën 31 dhjetor. Në datë 31 dhjetor ne do të rianalizojmë tregun, sigurisht çmimet e importit, sasinë që vjen nga prodhimi vendas për të vendosur një çmim të ri për fashën mbi 800 kilovatorë”, shpjegoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas autoriteteve, vetëm 4 për qind e familjeve konsumojnë më shumë se 800 kilowat/orë në muaj, ndërsa sasia e energjisë elektrike e përdorur prej tyre i korrespondon 19 për qind të totalit të konsumuar nga familjarët. Energjia me dy çmime sipas konsumit do të qëndrojë në fuqi deri në fund të vitit të ardhshëm. Sipas përllogaritjeve të qeverisë, do të mund të kursehen 100 milionë euro, ndërsa konsumi pritet të ulet me 2.5 për qind.
Opozita nga ana e saj deklaroi se paketa e re nuk ofron asnjë mbështetje reale dhe se ndërhyrjet e qeverisë janë masa rutinë që ndërmerrren çdo vit, duke pretenduar se ato janë më të ulëta se mbështetjet e ofruara nga vendet e rajonit. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, tha në Parlament se tanimë konsumi, por dhe bizneset kanë marrë një goditje të pariparueshme, sipas saj./VOA
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Që nga janari, sigurimet shëndetësore rriten me 6 për qind Çmimi mesatar i primeve të sigurimit shëndetësor është 378,70 franga në muaj. Për të rriturit, një...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel