Shqipëria

Shqipëri, katër viktima dhe ​102 raste të reja me Covid-19

Katër viktima të tjera janë shënuar në Shqipëri nga Covid-19. Një 43-vjeçar nga Kamza, pa sëmundje të tjera, i intubuar dhe në gjendje të rëndë prej disa ditësh, nuk ka mundur të mbijetojë, me gjithë përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor.

E kanë humbur betejën me virusin e rrezikshëm edhe një 60-vjeçar nga Shkodra, një 64-vjeçar nga Durrësi në Spitalin Infektiv dhe një 61-vjeçar nga Tirana në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, me sëmundje bashkëshoqëruese.

Po ashtu nga 501 testime, 102 qytetarë kanë rezultuar pozitivë. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 67 raste në Tiranë, 5 në Shkodër, nga 4 raste në Krujë, nga 2 raste në Berat, Kavajë, Peqin, nga 1 rast në Durrës, Has, Korçë, Lezhë, Lushnjë, Vlorë, Sarandë, përcjell albinfo.ch.

Në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë prej gjithsej 35107 testimeve të realizuara, pozitiv me Covid-19 kanë rezultuar 4008 raste, prej të cilëve 2264 raste kanë përfunduar me shërim të pacientëve, kurse 111 raste kanë përfunduar me fatalitet. Aktualisht Shqipëria numëron 1631 raste aktive me Covid-19.