Shqipëria

Shqipëri: Ekziston mundësia që të rikthehen masat kufizuese

Dy ditë e fundit atje ka pasur një ngritje të ndjeshme të numrit të të prekurëve.

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Orgeta Manstirliu, ka paralajmëruar qytetarët atje se ekziston rreziku që në Shqipëri të rikthehen masat shtrënguese, pasi që dy ditët e fundit numri të prekurëve ka shënuar një ngritje të lehtë krahasuar me ditët e para të javës, kur kishin rënë në minimum, përcjellë albinfo.ch.

Edhe të premten u regjistruan 18 raste të reja.

“Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Janë 5 raste të reja në Berat, 4 raste në Tiranë dhe 2 në Krujë, të gjitha kontakte”, deklaroi Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik.

“Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot. Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas”. Zonja Manastirliu ripërsëriti thirrjen për domosdoshmërinë e respektimit të rregullave të hinjienës dhe distancimit fizik e social. “Nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e ri-hapjes”, tha Manastirliu.

Në total deri tani, që nga fillimi i pandemisë, Shqipëria numëron 915 të infektuar dhe 31 viktima. Afro 77 përqind, ose 705 persona konsiderohen të shëruar. Ndërkohë situata në spitale vijon të mbetet e qëndrueshme me 19 qytetarë të shtruar, prej të cilëve 4 janë në terapi intensive.