Lajme

Shqipëri: Edhe një muaj afat për votën e emigrantëve, a do të miratohet ligji? 

12 janari është data e fundit kur Shqipëria mund të nxjerrë ligje për të lejuar qytetarët e saj që jetojnë jashtë vendit të votojnë në zgjedhje.

Premtimi që u dha për 3 dekada pêr diasporën ende nuk është jetësuar, ndonëse në vazhdimësi politikanët janë zotuar të trajtojnë të drejtën e shqiptarëve të diasporës për të votuar në zgjedhjet shqiptare pa pasur nevojë të kthehen fizikisht.

Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka theksuar nevojën për të garantuar votimin e emigrantëve në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.

“Nëse ky urdhërim i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin, por do t’i duhet të votojnë sipas regjistrimit të tyre në Shqipëri”, theksoi ai.

Për rëndësinë e votës së emigrantëve ka folur edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

“Ka disa hapa të domosdoshëm për t’u ndërmarrë. Pikësëpari është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses”, theksoi Begaj.

Sipas tij, kjo do ta kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri.

Mbi temën e votës së diasporës, angazhimi ka qenë i diskutueshëm gjithnjë, me palët politike shpesh të painteresuara për ta mundësuar votën e emigrantëve shqiptarë jashtë shtetit dhe me mungesa themelore reformash e ligjesh, të cilat i japin hapësirë shqiptarëve jashtë kufijve të shprehin vullnetin e tyre politik.

Lidhur me këtë, ka pasur edhe një takim të gjerë me përfaqësues politikë, shoqërinë civile, si edhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të parë hapësirat e mundshme të veprimit, raporton ap, përcjell albinfo.ch.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka vlerësuar gjithashtu si cenim të të drejtës themelore për të votuar mungesën e hapësirës së posaçme të diasporës, bën që të kërkohet një ritëm tjetër, për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.

Kështu, në një takim të zhvilluar nga Instituti i Studimeve Politike, do të ishte fillimisht Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ai i cili do të shprehte parimisht mangësinë e hapësirës ligjore, e cila e mban peng votën e diasporës.