Lajme

Shqipëri: Bunkerët do të përdoren si objekte turistike

Në Shqipëri ekzistojnë rreth 700.000 bunkerë të madhësive të ndryshme.

Tani qeveria shqiptare po hap për publikun disa prej këtyre bunkerëve dhe tuneleve të nëndheshme, për t’i përdorur si objekte turistike.

Në qendër të Tiranës, nën Ministrinë e Brendshme, ndodhet një bunker që u ndërtua nga qeveria komuniste si strehim për zyrtarët për mbrojtjen nga armët bërthamore, shkruan VoA, përcjell albinfo.ch.

Ky strehim përmban dhjetëra zyra me një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.000 metra katrorë. Ai u ndërtua në fillim të viteve 1980 dhe ka një tavan çimentoje me trashësi 2.5 metra.

Zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Mehdi Sula, sqaron se nuk ka pasur kurrë ndonjë situatë që ta bënte të nevojshme përdorimin e këtij bunkeri.

Autoritetet planifikojnë të hapin një muze të ri në bunker brenda këtij viti.
Qeveria në Tiranë e ka në plan të përdorë bunkerë të tillë të epokës komuniste si objekte për të tërhequr turistët.