Bota

Shpëtohen nga fundosja 700 refugjatë afrikanë

Në afërsi të bregdetit libian, rojat bregdetare të Marinës Italiane kanë arritur të shpëtojnë  sot rreth 700 refugjatë që ishin nisur me barka në detin e hapur drejt Evropës. Siç bën të ditur agjencia italiane e lajmeve ANSA, ishte fundosur një barkë gome me më shumë se 100 njerëz në të. Një anije malteze e mallrave ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në bord personat e përmbytur.

Dy barka tjera me refugjatë janë shpëtuar në det, rreth 55 kilometra larg kryeqytetit libian, Tripoli. Në këtë aksion shpëtimi kishte marrë pjesë një anije italiane.

Siç citohet një prift eritrean, udhëheqës i një organizate ndërkombëtare të refugjatëve, janë shpëtuar mbi 700 refugjatë në afërsi të bregdetit libian të cilët ishin nisur drejt Evropës. Prifti në fjalë ka dëshmuar se refugjatët e kanë njoftuar atë përmes thirrjeve për ndihmë, se milicët libianë po i mbanin ata me dhunë në kushte te mjerueshme sanitare. Refugjatët në fjalë, nga Eritrea, Etiopia, Somalia dhe Sudani kanë paguar mesatarisht nga 1600 euro për bartjen e tyre.

Vetëm pak ditë më parë është raportuar për mbytjen në ujë të rreth 300 refugjatëve afrikanë në afërsi të ishullit italian, Lampedusa.