Kultura

Shpend Salihu hap studion dhe galerinë e fotografisë në Cyrih

Fotografi Shpend Salihu fton të gjithë miqtë e tij dhe të fotografisë që në mbrëmjen e një tetorit të jenë të pranishëm në solemnitetin e vogël të hapjes së studios dhe galerisë së tij të re të fotografisë.

“Ka qenë një ëndërr imja e kamotshme që të kem një hapësirë që do të shërbejë si studio e punës për mua por edhe si galeri në të cilën do të mund të ekspozojnë miqtë e mi artistë dhe të gjithë të interesuarit tjerë”, thotë Shpendi për albinfo.ch. Me hapjen e kësaj studioje, duket se realizimi i ëndrrës është mjaft afër, pasi që bëhet fjalë për një hapësirë prej rreth 300 metrash katrorë, të rinovuar dhe të pajisur më së miri. Me këtë rast ai dëshiron të ndajë kënaqësinë me dashamirësit e fotografisë, të cilët i fton të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje me një apero.

“Tash për tash në kolektivin tim artistik i kam 13 artistë, fotografë”, thotë Salihu, i cili është edhe bashkëpunëtor i nderuar i albinfo.ch. “Ndërsa në mbrëmjen e përurimit do të ketë të ekspozuara vetëm punime me autorësinë time”:

Shpend Salihu nuk është emër i panjohur në lëmin e fotografisë, në Zvicër. Ai ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me agjenci botërore me renome të fotografisë ndërsa në objektivin e kamerës së tij janë përjetësuar shumë artistë, kryesisht nga arena e modës dhe bukurisë, nga Zvicra dhe jashtë saj. Këtu hyjnë, mes të tjerëve edhe: Angela Martini, modeli i HUGO BOSS, Simon Cocker, koreografi i Michael Jacksonit dhe manekeni Kevin Stea, Miss Zwicra Amanda Ammann, Mister Zvicra Luca Ruch, Gina Lisa Lohfink, Petey Pablo, Peyman Amin,  DJ Tomekk… Ndërsa fotografitë e tij janë botuar edhe në revista me renome në Zvicër e në botë.

Përurimi i studios dhe galerisë bëhet më 1 tetor me fillim në orën 19, në Rosenweg 8, 8702 Zollikon (Zürich).