Kosova

Shoqëria civile: S’po bëhet sa duhet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Shoqëria civile dhe përfaqësuesit e familjarëve të të pagjeturve kanë kritikuar institucionet e vendit se nuk po bëjnë sa duhet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Në  tryezën “Si duhet të zgjidhet çështja e personave të pagjetur në Kosovë”, organizuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës, u tha se që nga përfundimi i luftës në Kosovë çështja e më shumë se 1,600 personave të pagjetur nuk po trajtohet si duhet.

Ndërsa, përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Qerkini, ka thënë se është kundër punës, e cila po bëhet për këtë çështje.

Edhe deputetja Saranda Bogujevci është shprehur e pakënaqur me punën për të pagjeturit, derisa kërkoi që kompetencat t’u barten institucioneve vendore për zgjidhjen e këtij problemi.

Por, këshilltar i kryeministrit, Jahja Lluka, ka mohuar të gjeturat e shoqërisë civile se nuk është punuar për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve.

Ai tha se prioritet i Qeverisë Haradinaj është zbardhja e fatit të të gjithë të zhdukurve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre nacionale apo fetare.