Integrimi

Shoqatat shqiptare, objekt studimi

Studentja Tanja Germann ka bërë një analizë dyvjeçare (2011-2012) të situatës aktuale të shoqatave të migrantëve që jetojnë në St. Galler Rheintal

Studentja Tanja Germann këtë studim e ka bërë në kuadër të studimeve master në Shkollën e Lartë Pedagogjike të kantonit St. Gallen.

Punimi i saj master është vlerësuar me notën më të lartë. Në këtë drejtim ajo ka intervistuar persona e shoqata të shumta. Ndër to edhe tri shoqata shqiptare. Në fokus të analizës së saj, në rastin e migrantëve shqiptarë, Tanja Germann ka kontaktuar tri shoqata shqiptare. Bashkësinë Islame „Al-Shmes“ në Rebstein, shoqatën „Shqiponja“ dhe shoqatën shqiptaro-kosovare „Ardhmëria“.

Në një takim të thirrur për media të enjten nga Zyra e Integrimeve për St. Galler Rheintal, të mbajtur në ambientet e Komunës së qytetit St. Margrethen nën përkujdesje të kryetarit të saj, Reto Fridauer, studentja Tanja Germann prezantoi para mediave punimin master me temën „Shoqatat e migrantëve në St. Galler Rheintal“.

Nën përkujdesje të docentit Lucas Oberholzer dhe me mbështetje të Hanspeter Wöhrle nga Zyra për Integrim në St.Galler Rheintal, Tanja Germann zbulon me një punim voluminoz prej 80 faqësh funksionimin dhe punën e shoqatave të migrantëve në St. Galler Rheintal.

Duke dalë kështu, sipas kryetarit të Komunës St. Margrethen, me një analizë që do t’i shërbejë shumë në të ardhmen angazhimit tonë për integrim të migrantëve në shoqërinë tonë. „Puna e saj nuk është vetëm një analizë, ajo ka dhënë dhe sugjerime në përmirësimin e qasjes sonë ndaj migrantëve“, tha ai.

Friaduer, ndonëse e vlerësoi shumë analizën e studentës Tanja Germann, tha se nuk pajtohet me të gjitha ato çfarë janë shkruar këtu. Në pyetje ishte e drejta e votimit në fushën komunale ende pa u natyralizuar. Ai mendon se kur është në pyetje votimi, natyralizimi është kurora e një integrimi të suksesshëm. Kjo mandej është lidhur me të drejtën dhe detyrimet e shtetasit të Zvicrës. Unë mendoj së këtë rrugë nuk duhet ta braktisim, sepse duhet të përmbushim kushtet për të fituar të drejtën e natyralizimit. 

Në mesin e shumë grupeve që janë të angazhuara në këtë drejtim, shoqatat e migrantëve janë ato që ndërtojnë ura mes popullsisë vendëse dhe të ardhurve. Kërkesat e tyre janë në qendër të vëmendjes sonë, tha Reto Fridauer. Ne, shtoi ai, duhet t’i heqim kllapat dhe të shohim më gjerë. Jemi tani në ngritjen e qendrës së informimit për të gjitha vështirësitë që mund t’i hasin të ardhurit e rinj. Në këtë kuadër (plotësimi ynë) Zyra e Integrimeve për St. Galler Rheintal ka punësuar një shqiptare dhe një shqiptar që si kusht përveç njohjes së gjuhës gjermane, kishin edhe njohjen e gjuhës shqipe. 

Detyrë e shkollës sonë është natyrisht nxjerrja e kuadrove kompetente që të jenë në gjendje të ballafaqohen me diversitetin dhe këtu me përgatitjen e klasave multikulturore, tha docenti i Shkollës së Lartë Pedagogjike, Lucas Oberholzer. „Për ne si Shkollë e Lartë Pedagogjike është me rëndësi që mësueset dhe mësuesit e ardhshëm të jenë kompetentë. Kjo domethënë ata duhet të njohin normat dhe vlerat nga gjuha dhe kultura e tyre, por që edhe kulturat e tjera t’i kuptojnë, dhe atë kuptim ta fusin në shkollim të mëtutjeshëm“. Nga  mësueset dhe mësuesit e rinj pritet nxitja e integrimit të mirëfilltë. Ai shpreh bindjen se pedagogët e rinj janë të aftë për komunikim interkulturor me nxënës dhe prindër me origjinë migrimi. 

Po kështu në këtë analizë thuhet se në proporcion me numrin e banorëve, Zvicra ka përqindjen më të madhe të migrantëve në Evropë. Me mbi një milion e tetëqind mijë të huaj që jetojnë në Zvicër, migrantët përbëjnë 22,4 % të popullatës së përgjithshme të këtij shteti.

Pyetjet e migrantëve që presin përgjigje janë të shumta, vlerësoi para mediave Tanja Germann. Të ardhurit e rinj duan të dinë si dhe ku duhet të pyesin për punë. Ku të aplikojnë. Si mund të vijë deri te një punë, një banesë, e kështu me radhë.

Nuk duhet harruar se integrimi është një proces i dyanshëm, tërhoqi vërejtjen ajo. Gjatë intervistave kjo u potencua disa herë.“ Ata të gjithë thoshin, ne duhet të integrohemi, t’i përshtatemi vendit dhe kulturës vendëse, por edhe ana tjetër, zviceranët, duhet të tregojnë gatishmëri e të jenë të hapur, tolerantë dhe të tregojnë interesim“. Kjo më ka bërë përshtypje, sepse praktikisht gati secili person i intervistuar kështu më ka thënë, vëren studentja. 

Ndonëse ka vite që integrimi është shqetësim e temë e përditshme si institucionale, ashtu edhe më gjerë, ka ende shumë pak studime mbi shoqatat e migrantëve këtu, pohoi Hanspeter Wöhrle.

Shoqatat e migrantëve luajnë një rol shumë të rëndësishëm në integrimin mes shoqërisë vendëse dhe të ardhurve, vlerësoi ai. „Në këtë pikë“, tha ai „duket se jeni e para që keni mbledhur njerëzit, keni intervistuar dhe kështu keni hapur një derë të madhe mes vendësve dhe migrantëve. Duke vënë në pah se ka akoma shoqata të migrantëve që organizojnë festa ashtu si më parë, ku një zviceran nuk shkon në një shoqatë të migrantëve apo migrantët në një shoqatë zvicerane. Ne, thotë ai, duhet t’i eliminojmë këto barriera, i cili megjithatë duket optimist dhe ndjen mbështetjen politike të organeve komunale që po i jepet Zyrës së integrimit nga kryetari i St. Margrethës, Reto Fridauer. Që, siç konsideron ai, është e vemtja e këtij lloji në tërë Zvicrën.

Ndërkohë që Tanja Germann ishte zënë ngushtë e në kurthe të pyetjeve të gazetarëve rajonalë, se mos vallë ajo ka qenë vetë më parë në mesin e atyre zviceraneve që ka pasur shume paragjykime ndaj të huajve.

Pyetjes së Albinfos se çfarë përvoje ka marrë me migrantët shqiptarë në Rheintal (fushën e lumit Rajna), i përgjigjet me sy të gëzuar e si kundërpërgjigje ndaj dyshimeve të hedhura se megjithatë unë nuk i takoj atij mesi; „Unë di pak shqip“, thotë ajo. Shikoni, unë kam qenë një herë në Maqedoni dhe kam mësuar atje pak.

„Shoqja ime më e mirë është shqiptare nga Maqedonia dhe për këtë unë i shoh shqiptarët më shumë nga ana pozitive“, thotë ajo.

Ndërkohë që ndërhyjmë e i kërkojmë të na japë një shembull se çfarë ka mësuar nga gjuha shqipe, serioziteti i takimit u kthye në të qeshura e relaksim si nga ana e gazetarëve prezentë, po ashtu edhe nga autorja dhe mentorët e saj. Hapjen në gjuhën shqipe e bëri së pari profesori i saj Oberholzer, duke na përshëndetur me një „Mirëdita“, kurse pjesën tjetër me një shqipe të trevave të shqiparëve të Maqedonisë e tha autorja me fjalët: „Buka është shumë e ngrënë, ama unë jam e frytë, s’mundem ma“. 

Bekim Dalipi,  St. Margrethen