Kosova

Shoqata “Sytë Kërkojnë Dritë” organizoi mbrëmje humanitare për Festivalin e Aftësisë së Kufizuar

Shoqata “Sytë Kërkojnë Dritë”, në bashkëpunim me “Augen Suchen Licht” dhe përfaqësuese Shqipe Kryeziu, organizoi një mbrëmje humanitare për të mbledhur fonde për festivalin “Suhareka na Bashkon”, një ngjarje dedikuar personave me aftësi të kufizuara

Shoqata “Sytë Kërkojnë Dritë”, në bashkëpunim me “Augen Suchen Licht” dhe përfaqësuese Shqipe Kryeziu, organizoi një mbrëmje humanitare për të mbledhur fonde për festivalin “Suhareka na Bashkon”, një ngjarje dedikuar personave me aftësi të kufizuara.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Shoqatës, Shqipe Kryeziu, falënderoi pjesëmarrësit dhe kontribuuesit, si dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës që mbështeti këtë ngjarje në ambientet e saj. Ajo shpjegoi se Shoqata “Sytë Kërkojnë Dritë” mori iniciativën për organizimin e Festivalit të Aftësisë së Kufizuar para dy vjetësh, ku artistët me aftësi të kufizuara janë në qendër të vëmendjes.

Kryeziu theksoi se realizimi i edicionit të parë ishte i mundur vetëm me ndihmën e bashkatdhetarëve, pasi mbështetje nga institucionet kosovare mungoi.

“Suhareka na Bashkon” është festivali i parë i këtij lloji në Ballkan dhe, sipas të dhënave, edhe në rajon. Megjithatë, mbështetja nga Komuna e Suharekës ka qenë simbolike dhe nuk është e mjaftueshme. Kryeziu bëri thirrje për kontributin e secilit për të avancuar dhe integruar personat me aftësi të kufizuara në shoqëri dhe për të prezantuar talentin e tyre.

Ajo njoftoi se në edicionin e dytë do të jenë të pranishëm edhe pjesëmarrës nga Ulqini dhe Presheva, por nëse fondet nuk grumbullohen, disa pjesëmarrës do të mbesin jashtë.

Fexhrije Blaku, përfaqësuese nga Ambasada e Kosovës në Bernë, theksoi rëndësinë e integrimit të personave me aftësi të kufizuara dhe u shpreh: “Integrimi i personave me aftësi të kufizuara ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë kontribut të rëndësishëm në të gjitha aspektet. I uroj sukses festivalit ‘Suhareka na Bashkon’ dhe shpresoj që të marrë mbështetje të nevojshme nga e gjithë shoqëria.”

Teuta Gashi Kryeziu, pedagoge sociale dhe aktiviste në Shoqatën Kulturore Bashkimi, vuri në dukje se edhe kontributi më i vogël është jashtëzakonisht i rëndësishëm për këtë festival. Ajo theksoi: “Si pedagoge, e shoh se çdo ndihmë është e rëndësishme për personat me aftësi të kufizuara. Këta individë ndjejnë emocionet e veçanta kur dalin në skenë dhe meritojnë të ndjehen të barabartë. Shpresoj që të gjithë komuniteti ynë në Diasporë të bashkëngjitet në këtë mision.”

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, shprehu krenari për angazhimin e Shqipe Kryeziut dhe përshëndeti Diasporën për mbështetjen. Ai njoftoi se Komuna do të kontribuojë me 6000 euro këtë vit dhe shpreson për një mbështetje më të madhe në të ardhmen.

Në fjalën e saj, Dr. Alida Dauti Ramaj ndau një histori për të ilustruar rëndësinë e mbështetjes dhe ndihmës për ata që kanë nevojë. Ajo përfundoi duke apeluar për të parë situatën nga këndvështrimi i personave me aftësi të kufizuara dhe për t’u bërë pjesë e festivalit.

Pas përfundimit të takimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të shijonin ushqime tradicionale shqiptare dhe të kënaqeshin me muzikën e këngëtarit Gëzim Jaha, me mbështetje nga Shoqata Kulturore Shqiptare Bashkimi.

Për të kontribuar në Festivalin “Suhareka Bashkon”, donacionet mund të bëhen përmes QR CODE dhe Twint në numrin 0798985242.

Luljeta Ademi