Integrimi

Shoqata e bankierëve shqiptarë në metropolin zviceran të bankave

“Krijimi i një rrjeti i cili do të lehtësonte integrimin e shqiptarëve në sektorin financiar dhe shndërrimi në qendër orientimi për studentët shqiptarë që dëshirojnë të fillojnë karrierë në këtë sektor” është synimi afatgjatë i Shoqatës Shqiptare Zvicerane të Financave (SAFA)

Shqiptarët në Zvicër janë prej vitesh të organizuar në një numër të madh shoqatash dhe bashkësishë nga më të ndryshmet. Organizimi i komunitetit fillimisht bëhej mbi baza politike, kulturore, sportive dhe së fundi, edhe mbi baza profesionale. E fundit në këtë vistër organizimesh është shoqata e punonjësve shqiptarë të bankave dhe të institucioneve tjera financiare të Zvicrës ose, thënë ndryshe, “bankierët”.

“SAFA” quhet shoqata e themeluar vetëm tri vite më parë në Cyrih. Ajo bën bashkë bankierët shqiptarë, me përqendrim të veçantë në zonën rreth metropolit më të madh bankar të Zvicrës, në Cyrih por edhe më gjerë.

Lidhur me shoqatën e cila përfaqëson shqiptarët e një dege kaq karakteristike për ekonominë zvicerane, degës së bankave, për albinfo.ch flet Getoar Vejseli, anëtar i kryesisë dhe përgjegjës për komunikim në SAFA.

Për një rrjetëzim të profesionistëve të sektorit financiar

“Fillimet e saj SAFA i ka prej vitit 2011 kur një grup shqiptarësh të sektorit financiar takoheshin kohë pas kohe për tu njohur me njëri tjetrin dhe për të shkëmbyer eksperiencat e tyre profesionale. Ndërkaq formën e saj si shoqatë, SAFA e ka marrë në vitin 2015, më saktësisht më 26 shkurt të atij viti, kur, në ambientet e Technopark në Cyrih u vendosën themelet e saj”, thotë Vejseli. Sipas tij, motivi kryesor dhe më i rëndësishëm i krijimit të shoqatës ka qenë rrjetëzimi i profesionistëve (kryesisht të sektorit financiar në Zvicër) dhe shkëmbimi i eksperiencave në mes veti. Ndërsa synimi afatgjatë, ka qenë “krijimi i një rrjeti i cili do të lehtësonte integrimin e shqiptarëve në sektorin financiar si dhe shndërrimi në qendër orientimi për studentët shqiptarë që dëshirojnë të fillojnë karrierë në këtë sektor”.

Ndonëse shoqata njihet gjerësisht si “shoqatë e bankierëve”, ajo në gjirin e saj ka edhe profile tjera. “Profilet profesionale të pjesëtarëve janë të ndryshme, duke filluar nga bankierët, specialistët e teknologjisë së informimit, këshilluesit (consultants), etj., vazhdon Getoar Vejseli.

Ndërsa duke folur rreth organizimit të shoqatës, ai thotë se “SAFA ka asamblenë e përgjithsme, kryesinë dhe auditorët. Në asamblenë e përgjithshme zgjidhet kryesia e shoqatës nga ana e anëtarëve aktivë dhe pastaj kryesia e posazgjedhur vendos bashkërisht për pozicionet, respektivisht përgjegjësitë që çdo anëtar i kryesisë është i gatshëm t`i marrë, përfshirë ketu edhe pozitën e kryetarit/es. Në asamblenë e përgjithshme gjithashtu zgjidhen edhe dy auditorë të pavarur për të kontrolluar llogaritë dhe për të kryer kontrolle të rastit, të paktën një herë në vit. Auditorët duhet të jenë anëtar aktivë të shoqatës”.

Rreth 200 punonjës financiarë shqiptarë vetëm në zonën e Cyrihut

Ndonëse për këto tri vite të ekzistimit, shoqatës i janë bashkuar një numër i konisderueshëm anëtarësh të sektoreve të përmendura, kryesia e SAFA nuk mund të dijë numrin e gjithëmbarshëm të punonjësve financiarë dhe të bankave në gjithë Zvicrën. “Është e vështirë të caktohet një numër i përafërt sepse: e para, shoqata është e fokusuar në Cyrih, dhe e dyta, jo çdo shqiptar që është aktiv në këtë sektor është në dijeni të ekzistimit të kësaj shoqate. Ne si shoqatë deri tani kemi një liste prej mbi 200 personave që janë aktivë me punë në rrethin e Cyrihut. Dhe, aq sa ne jemi të informuar, shqiptarët sot  janë aktivë në gati të gjitha bankat dhe kompanitë më të mëdha në Zvicër”, thekson Vejseli.

Por, a është realizuar synimi që bankierët shqiptarë të Zvicrës i kanë vënë vetes me rastin e themelimit të shoqatës? “Pjesërisht”, shprehet Getoari, duke vënë në pah edhe njëfarë pasivizimi të muajve të fundit. “Angazhimi në shoqatë është vullnetar dhe kërkon kohë. Për fat të keq, gjatë muajve të fundit, shoqata ka qenë pasive për shkak të angazhimeve të shumta profesionale dhe private që i kanë pasur anëtarët e kryesisë. Për momentin, ka filluar riaktivizimi i disa anëtarëve dhe në të ardhmen do të ketë evenimente të rregullta. Vetëm nëse të gjithë japin një kontribut minimal për të ndihmuar rrjetëzimin, mund të arrihen synimet individuale, ato kolektive, si dhe synimet e shoqatës”.

Bashkëpunimi me bankat në atdhe, synim afatgjatë i shoqatës

Deri tash shoqata nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim me bankat ose organizatat tjera të këtij sektori në atdhe. “Nuk  kemi pasur bashkëpunime të atij niveli me bankat në trojet tona, por është një nga synimet afatgjate që kërkon kohë dhe përkushtim nga të gjithë”, thotë Vejseli. Megjithatë, shton ai: “deri më tani kemi patur bashkëpunim me një shoqatë nga Kosova, një nga Maqedonia si dhe me Shoqatën e Studentëve shqiptarë në Cyrih, me të cilën kemi organizuar edhe një workshop për t`i informuar studentët rreth mundësive që kanë per tu integruar në tregun financiar”.

I pyetur për pozicionin më të lartë në hierarkinë bankare që ka arritur deri tash ndonjë shqiptar i Zvicrës, qoftë anëtar i shoqatës ose jo, bashkëbiseduesi ynë shprehet i rezervuar. “Pasi pozicionet ndryshojnë prej njërës kompani në tjetrën, është e vështirë të thuhet se cila është pozita më e lartë që ndonjë shqiptar e mban në bankat zvicerane. Mjafton të themi se ka shumë shqiptarë që janë duke udhëhequr me ekipe të tëra në pozitat e tyre”.

Themelimi, më 26 shkurt 2015

“Fillimet e saj, SAFA i ka prej vitit 2011 kur një grup shqiptarësh të sektorit financiar takoheshin kohë pas kohe për tu njohur me njëri tjetrin dhe për të shkëmbyer eksperiencat e tyre profesionale. Ndërkaq formën e saj si shoqatë, SAFA e ka marrë në vitin 2015, më saktësisht më 26 shkurt të atij viti, kur, në ambientet e Technopark në Cyrih u vendosën themelet e saj”.

Një “lodhje”, që besohet të jetë e përkohshme

“Angazhimi në shoqatë është vullnetar dhe kërkon kohë. Për fat të keq, gjatë muajve të fundit, shoqata ka qenë pasive për shkak të angazhimeve të shumta profesionale dhe private që i kanë pasur anëtarët e kryesisë. Për momentin, ka filluar riaktivizimi i disa anëtarëve dhe në të ardhmen do të ketë evenimente të rregullta.