Integrimi
“Shok”-u i mirë me shumë shokë
Filmi i nominuar për Oscar, "Shok" është shfaqur para studentëve të Universitetit të Cyrihut dhe ka gjetur një audiencë të mrekullueshme. Në sallë kishin ardhur (direkt nga aeroporti!) dy producentët e filmit: Harvey Ascott dhe Eshref Durmishi dhe ata ishin në dispozicion të shuarjes së kërshërisë së publikut.
Filmi “Shok”, i pari film në gjuhën shqipe i nominuar për Oscar, është shfaqur të martën mbrëma për studentët shqiptarë të Universitetit të Cyrihut dhe miqtë e tyre. Një amfiteatër i madh i këtij universiteti, i mbushur pothuaj përplot me dashamirë të filmit ishte tregues për jehonën e madhe që suksesi i këtij filmi ka bërë edhe ndër shqiptarët e diasporës, e madje edhe te të rinjtë e brezit të dytë, të lindur ose të rritur në Zvicër. Pos tyre kishte edhe shqiptarë të brezit të parë po edhe zviceranë, miq të tyre.
Shfaqja e filmit është organizuar dhe moderuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Cyrihut “Studenti”.
Subjekti i filmit është tashmë i njohur: një dramë lufte e bazuar në një ngjarje të vërtetë, me protagonistë dy fëmijë të cilët fati i ngatërron në vorbullën e luftës, nga e cila, mjerisht, njëri prej tyre nuk del dot i gjallë, shkruan albinfo.ch. Si loja e aktorëve, vet rrëfimi, ashtu dhe komponentët tjerë të filmit kanë fituar tashmë vlerësimin meritor artistik, me vet çmimet e shumta që ka marrë filmi “Shok” dhe janë kurorëzuar me nominimin në mes të 5 filmave më të mirë të botës, të metrazhit të shkurtë.
Ndërkaq, rrjedha e punës “prapa kuintave”, telashet me gjetjen e mbështetjes materiale për filmin, problemet teknike dhe logjistike, e gjithë ajo makineria që duhet të funksionojë mirë për të nxjerrë një film të suksesshëm, ka qenë temë e debatit të gjallë të mbajtur pas projeksionit të filmit. Po ashtu edhe skenari i filmit, mbështetja e tij në një ngjarje të vërtetë ka qenë objekt i interesimit të publikut.
Në sallë kishin ardhur (direkt nga aeroporti!) dy producentët e filmit: Harvey Ascott dhe Eshref Durmishi dhe ata ishin në dispozicion të shuarjes së kërshërisë së publikut. Ky i dyti ka luajtur edhe njërin nga rolet kryesore në film.
Të vërshuar nga pyetjet e studentëve kureshtarë, dy producentët kanë pasur mjaft punë për të dhënë përgjigjet adekuate.
Durmishi ka përkujtuar se edhe vetë e ka përjetuar si fëmijë i moshës së protagonistëve të filmit, kohën kur zhvillohet ngjarja e filmit dhe se e njeh tmerrin e asaj kohe. Ai ka rrëfyer përjetimet e tij të frikës nga policët serbë që e kishin ndaluar, kërcënuar dhe goditur tek shkonte në shkollën “ilegale” dhe me vete bartte libra shqip. Kjo atmosferë pastaj, bazuar dhe në skenarin e mrekullueshëm të Jamie Donoughue, i cili ka bërë dhe regjinë, është bartur në mënyrë shumë të besueshme në film. Edhe vrasja e fëmijës nga paramilitarët e Arkanit, e paraqitur në film, ka qenë, sipas Durmishit, rrëfim i njohur dhe i vërtetë që e kujton nga fëmijëria.
Ndërsa kolegu i tij, britaniku Harvey Ascott është përqendruar më shumë në ecurinë e filmit në kuptimin e krijimit të kushteve për realizimin e tyre. Por ai është përballur edhe me pyetjet se si ai, si një i huaj e ka përjetuar një rrëfim “kaq shqiptar” sikur ky i filmit “Shok”. Ascott në përgjigjet e tij ka theksuar se rrëfimi për një dramë të tillë njerëzore do të prekte secilin njeri, pavarësisht nëse ai do të ndodhte në Kosovë, Bosnjë ose në Siri.
Edhe ai ka vënë theksin në skenarin e shkëlqyer dhe në aktorët jashtëzakonisht të talentuar të Kosovës, siç ka thënë ai, që kanë qenë baza e padiskutueshme për të realizuar një film kaq të madh. “Të zgjidhet një film kosovar në mesin e 5 filmave më të mirë në botë nga më shumë se 10 mijë të metrazhit të shkurtër në gjithë botën, është një sukses i pamohueshëm ka thënë veç tjerash Harvey.
Po ashtu të dy producentëve u janë shtruar pyetje rreth përjetimeve të tyre nga nata e ndarjes së çmimit Oscar, nga tepihu i kuq etj.
Ndërsa i pyetur nga albinfo.ch rreth rrugës aktuale të filmit pra pas periudhës “oscariane”, Eshref Durmishi në cilësinë e producentit thotë se ai po shfaqet e po merr pjesë në festivale të ndryshme gjithandej nëpër botë. “Unë posa u ktheva nga “Tribeca festiv”i ndër tre festivalet më të mëdha të filmit në Amerikë. Kemi marrë pjesë edhe në Colorado Festival ku kemi marrë çmimin e parë etj. Filmi do të jetë pjesë edhe e festivaleve tjera. Një distributor i yni tash e tutje do të merret me distribuimin e tij pasi që ne tash duhet të përqendrohemi në projekte të reja.
Por për ne është me interes që fimi të shfaqet në sa më shumë vende të botës që të shohin sa më shumë njerëz historinë e këtij vendi dhe atë çfarë ka ndodhur te ne gjatë luftës. Po ashtu filmi është shitur në shumë vende të botës. Është interesante se filmin e ka blerë edhe “Air Canada” dhe atë mund ta shikojnë pasagjerët në aeroplan gjatë fluturimeve me këtë kompani. Filmi mund të shkarkohet edhe në Itunes ku ka qenë ndër 5 filmat, më të shkarkuar”, thotë ai për lbinfo.ch
Sa i përket shpagimit material të këtij filmi si rezultat i nominimit të tij për Oscar, Durmishi thotë se kjo do të dihet më vonë, por është e qartë se nga filmat e metrazhit të shkurtër nuk ka fitim në kuptimin financiar.
Bashkëbiseduesi ynë më tutje ka thënë se gjatë qëndrimit të ekipit në Los Angjelos kanë pasur shumë takime me producentë e regjisorë të produksioneve të fuqishme botërore zë filmit. “Në takimet tona kemi prezantuar para tyre tema të cilat mund të ngjallin interesimin e kompanive të mëdha për t`i shndërruar ato në filma. Dhe mund të them se ka pasur interes të madh rreth tyre. Natyrisht ne më vonë duhet të ulemi bashkë me ta dhe t`i materializojmë këto ide që ato të zhvillohen në skenarë të mirë për filma artistikë.
Koha për një Oscar nuk është e largët
I pyetur nga albinfo.chpër atë se kur do të ketë Kosova një film të madh të tipit “Nomansland” (film i Bosnjës që ka fituar çmimin Oscar, Durimishi përgjigjet me shumë optimizëm. “Shumë shpejt. Bazuar në interesimin e kompanive të mëdha filmike që përmedna, pastaj në aktorët shumë të talentuar që ka Kosova (më të talentuarit në regjin, thotë ai), në historinë e re të Kosovës që ofron tema të fuqishme si dhe në ambientet “e virgjëra” që ofron Kosova, kjo ditë nuk është aspak e largët…
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok” Almira tregon se aktualisht ka mbi 800 mijë ndjekës dhe përveç se është një tik-tok-ere e...
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
Gjermani: 14-vjeçari shqiptar kishte pësuar djegie në 80% të trupit, zgjohet nga koma pas 5 muajsh
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Aksident mes mjetit ushtarak dhe autobusit Nëntë efektivë të ushtrisë zvicerane u lënduan në një aksident ...
-
Bora e parë shkakton rreth 150 aksidente në kantonin e Cyrihut
-
Mbi 600 thirrje urgjente janë pranuar vetëm në kantonin e Lucernit për shkak të borës
-
Bora e parë në Zvicër bllokon trafikun
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë