Maqedonia

Shkupi i ndotur, hynë në fuqi rekomandimet

Këtë vit Shkupi është ndër qytetet më të ndotura, së fundmi kanë hyrë në fuqi masat dhe rekomandimet për shkak të rritjes së ndotjes së ajrit, gjegjësisht për shkak të koncentrimit të shtuar të grimcave PM 10 gjatë dy ditëve radhazi, njoftoi Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), përcjell albinfo.ch.

Siç njofton ministria, më 25 dhe 26 dhjetor janë matur mbi 150 mikrogramë për metër kub grimca PM 10, duke kaluar kështu pragun e alarmit.

Stacionet matëse në Lisiçe dhe Rektorat kanë matur dje 229 dhe 169 mikrogramë për metër kub grimca PM 10, ndërsa të hënën përqendrimi i tyre ka qenë 211 mikrogramë për metër kub.

Për shkak të rritjes së ndotjes së ajrit, rekomandohet që punëdhënësit të përjashtojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, infarkt ose goditje të mëparshme të miokardit, pavarësisht moshës, me rekomandimin e mjekut amë. Gjithashtu rekomandohet riorganizimi i orarit të punës dhe personat që punojnë jashtë duhet të punojnë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

Pjesë e rekomandimeve është që të mos organizohen aktivitete sportive dhe të tjera jashtë dhe të sigurohen kushte për rritjen e aktiviteteve të shërbimeve të urgjencës mjekësore, vizitave në shtëpi dhe shërbimeve patronazhore.

Në pjesën e masave theksohet se Qeveria duhet të obligojë të gjitha organet e administratës shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore të reduktojnë (deri në 50 për qind) përdorimin e automjeteve zyrtare, si dhe të sigurojnë kufizimin e punimeve të ndërtimit.

Nga pushteti qendror në drejtim të atij lokal dhe anasjelltas. Kështu këto ditë po qarkullojnë akuzat mes institucioneve në nivel qendror dhe lokal për atë se kush duhet të marrë masa për t’u përballur me shkallën e lartë të ndotjes së ajrit në qytetet e Maqedonisë.

Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, në një prononcim në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, informoi se asnjë komunë në vend deri më tani nuk ka dorëzuar pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor plan veprimi afatshkurtër, i cili do të ishte në funksion të marrjes së masave për uljen e ndotjes së ajrit gjatë tejkalimit të vlerave të lejuara.

Shkupi për disa ditë me radhë ndodhej në listën e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë, treguan të dhënat nga internet-portali “IQAir”.

Ndotësi kryesor janë grimcat PM 2,5, koncetrimet e të cilave sipas “IQAir” arrijnë në 99 mikrogramë në metër katror.