Lajme

Shkup: Burgim të përjetshëm për tre shqiptarët

Gjykata e Apelit në Shkup të Maqedonisë ka konfirmuar sot vendimin gjyqësor të shkallës së parë për rastin e vrasjes së policit Afrim Arifi dhe plagosjen e dy të tjerëve në vitin 2008, njoftojnë mediet në Shkup.

Sipas vendimit të Gjykatës Penale, tre të akuzuarit për sulmin ndaj njësiteve policore “Alfa” janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Të dënuarit janë Rexhail Kerimi, Agim Ismaili dhe Almir Dërpjanin, të cilët kanë mohuar kategorikisht përfshirjen e tyre në vrasjen e bërë.

Familjarët e të dënuarve pohojnë se të afërmit e tyre janë të pafajshëm dhe se “e tërë kjo është edhe një rast i montuar nga shteti për kinse zbardhjen e rasteve të vrasjes”.

Sulmi ndaj policëve “Alfa” ndodhi më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit Natyror-matematikor, që gjendet afër lagjes së banuar me shqiptarë “Gazi Babë”.