Gjuha

Shkollat dhe universitetet tona duhet të bëhen studimore

Filloi viti i ri shkollor pa vonesat e mëparshme që shkas kishin pagën e ulët. Vazhdoi viti shkollor pa u ndëprerë mësimi që në nisja për shkak të huqeve të motit , që jo rrallë herë kanë shërbyer si shkas për t’i mbyllur shkollat me javë të tëra dhe atë për të gjithë nxënësit e të gjitha moshave, thuajse si fatosat e kopshtit, ashtu edhe maturantët qenkan njësoj të ndieshëm dhe të paqëndrueshëm ndaj të ftohtit?! Këtë herë zjarret në bjeshkë nuk ishin shkas i mjaftueshëm për ta ndërprerë vitin shkollor që në nisje dhe për të urdhëruar vazdhimin e tij dikur dhe atë sipas mundësive. Filloi dhe po vazhdon ky vit i ri shkollor dhe pritet të fillojë edhe viti universitar pa u parashtruar pyetja kurciale: kah po ec (jo po shkon, se shkurja ka një qëllim!) shkolla jonë?!

Shkolla jonë, fatkeqësisht, ka mbetur në shumë aspekte aty ku ishte para shumë viteve. Në të vërtetë, ajo duke qëndruar aty ku ishte para shumë viteve ka ecur mbrapa, sepse gjatë këtyre decenieve erdhi deri tek zhvillimet e hovshme në shumë fusha të jetës. Shqetësuese është në radhë të parë formalizmi që e karakterion shkollën tonë. E kur them shkollën përfshij në këtë gjithsesi edhe universitetet. Me formalizëm nënkuptoj në radhë të parë shpjegimin pa u thelluar sa dhe si duhet në materien që shpjegohet, pa kërkuar shkakun e futjes së një nocioni të ri në kërkesat që shtroi koha, pa u ndaluar dhe pa i krahasuar ato nocione dhe ligjshmëritë që kanë të bëjnë me to edhe me aktualitetin… Me fjalë të tjera shkolla jonë ende vazhdon të vuajë nga mungesa e mendimit të mjaftueshëm kritik, ende nuk është shkollë ku studiohet, ku provohet, ku tezat aktuale vehen në provë e diskutohen edhe anitezat. Shkolla jonë ende vazhdon të mos praktikojë të mësuaren në kushtet konkrete. Kështu bujqësia zhvillohet larg fushave të mbjellura, biologjia larg florës dhe faunës, teknika larg industrisë (edhe të asaj që ka mbetur), kimia e fizika më shumë larg sesa brenda në laboratore…

Si mund të shpjegohet ndryshe mungesa e studimeve për pasojat afatshkurtëra dhe afatgjata që la lufta e fundit në Kosovë, si mund të shpjegohet ndryshe mungesa e matjeve të ndotjeve mjedisore (te gjithë shohim me sy ndotjet që sjellin tymtarët e termoelektranave, të shkritores së ferronikelit dhe të çimentores, por shifra se sa herë kalojnë vlerat kufitare që rrezikojnë shëndetin nuk i kemi)… Dhe e tëra kjo ndodhë, sepse të diplomuarit në shkollat dhe universitetet tona nuk janë arsimuar per të studiuar, por për të thithur njohuritë e mbledhura të ndonjë teksti universitar të ndonjë x-profesori, që, shpeshherë, më shumë se vepër e realizuar nga përvoja personale studimore, ka qenë një përkthim i një apo dy teksteve të lidhura joorganikisht mes veti.

Duke mos u edukuar të hulumtojmë, të krahasojmë, të provojmë rrugët jo vetëm të drejtpërdrejta, por edhe ato inverse, të diplomuarit në shkollat dhe universitetet tona mbesin joinovatorë dhe joinventivë. Ata, duke u mësuar vetëm të kapërdijnë teori, pa ia nënshtruar ato mendimit kritik, vazhdojnë të mbesin të tillë edhe pasi të hynë në procesin e punës: mësuesi vazhdon të mbetet i varur nga libri i ndonjë x-profesori përkthyes, inxhinieri nga ndonjë matje e thjeshtë e ndonjë eksperti të huaj, ekonomisti të merret në vend se me oferta – kërkesa konkrete me punë të thjeshta administrative….E tëra kjo krijon një ekonomi jokonkurruese jo vetëm në apsektin global, por edhe në atë rajonal. E tëra kjo e i bënë vendet tona importuese disafish më të mëdha sesa eksportuese, me standarde të ulëta jetese dhe në rënie, me jetëgjatësi dukshëm më të ulët sesa të vendeve të tjera…

Prandaj është koha të fillojmë jo vetëm te mendojmë, por edhe të veprojmë që arsimi ynë të vendoset mbi bazën e mendimit kritik, mbi eksperimentin dhe hulumtimin, si parakusht i një ekonomie rezultative e me këtë edhe i një niveli të ngritur jetese.

* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë mendimet e redaksisë.