Gjuha

Shkolla shqipe, profesion dhe mision i tij

Veton Dizdari, mësues veteran, rrëfen fillimet e tij në mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër dhe për gjendjen e sotme të këtij mësimi

Si student i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, synimi që ndonjë ditë të bëhet gazetar i sportit apo i kulturës, ishte objektivi kryesor i Veton Dizdarit, në vitin 1988.

Por rrugët e jetës ndonjë herë çojnë andej ku nuk e pret njeriu.

Më 1989, atëbotë kur ende mundeshe të udhëtoje nga Kosova për në Evropë me vetëm një pasaportë në xhep, Vetoni, i pajisur  me një çantë me rroba personale, mësyn Zvicrën vend ku jeton tani 33 vite.

Duke qenë se nuk i pëlqen të lëvizë shumë, ende i qëndron besnik vendbanimit të tij të parë këtu, qytetit Langenthal të Bernës.

Që nga ardhja e tij në Zvicër, me të marrë vesh bashkatdhetarët se ishte i posa diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe, kërkesën e tyre për të dhënë mësim plotësues për fëmijët shqiptarë, Vetoni e priti me shumë entuziazëm.

Veton Dizdari

Çdo ditë nga 10 fjalë shqip…

„Nëse për çdo ditë mësimi plotësues në shqip, secili nga nxënësit e mi, mëson nga 10 fjalë të gjuhës së bukur shqipe, unë ia kam arritur qëllimit“ shprehet për Albinfo.ch, Veton Dizdari, mësuesi veteran i mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër.

I vendosur në Langenthal të Kantonit të Bernës, në vitin e tij të parë, kishte 86 nxënës që ndiqnin mësimin plotësues, mësim ky që mbahej në objektet shkollore zvicerane e me pëlqimin e organeve kompetente komunale.

Organizimi i një aktiviteti të tillë, sipas Vetonit ishte më se i pëlqyeshëm për autoritetet zvicerane, sepse, duke e njohur më mirë gjuhën amtare, nxënësit shqiptarë, kishin mundësi më të mira për të mësuar gjuhën e vendit.

Edhe pse aktivitetin e tij mësimor e kishte filluar në baza vullnetare, së shpejti përfshihet nën kulmin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë –(LAPSH) “Naim Frashëri“, shoqatë kjo që organizon mësimin plotësues në Zvicër.

Duke qenë se deri në vitin 2014 ka qenë aktiv në procesin e mësimdhënies, e në ndërkohë edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Arsimtarëve e po ashtu edhe koordinator kantonal për Bernë, duke e njohur mirë këtë proces, ai shprehet mjaft i zhgënjyer se kohëve të fundit ka rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve në mësimin plotësues.

 

Nga 60, numri i nxënësve ra në 7

„Interesimi i shteteve tona të prejardhjes për promovimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe duhet të jetë më i madh“, shprehet Vetoni. Ai e ilustron këtë fakt me numrin e nxënësve të tij në Langenthal, ku nga 60 sa ishin në vitin 1991, sot janë vetëm 7.

Faj këtu ka edhe interesimi në rënie i prindërve shqiptarë, shpesh edhe reflektimi nga vendlindjet, por ai nuk amniston edhe metodat ndoshta jo më të përshtatshme të mësimdhënies, që mund të jenë komplet ndryshe në krahasim me ato nga mësimi që nxënësit ndjekin në shkollat zvicerane.

Kritikë ka po ashtu edhe për disa opinionistë televizivë, të cilët me etiketimet e tyre negative për pjesëtarët e Diasporës, bënë që shumë nga ta të krijojnë një lloj distance me vendet e prejardhjes.

Duke qenë tashmë mbi 30 vite anëtar i LAPSH-it, e pas disa pakënaqësive që shtynë në krijimin e ”Shkollës Shqipe”, po ashtu një institucion i mësimit plotësues në Zvicër, mësuesi veteran i gëzohet hapjes së çdo shkolle shqipe në Zvicër.

Por këtu ai kërkon një angazhim më të madh nga institucionet përkatëse të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të ndërmjetësuar dhe unifikuar mësimin plotësues në gjuhën Shqipe.

 

Përveç mësues, edhe sportist i dalluar

Pos si mësimdhënës i mësimit plotësues, mësuesi Veton, siç e njohin të gjithë, është edhe një sportist i pasionuar. Që nga ardhja e tij në Zvicër, pasionin e tij për sportin e vazhdon me disa kurse për referim, ku edhe certifikohet si i tillë, ku ende merr pjesë rregullisht. Apo edhe si trajner i kategorisë të juniorëve.

Po ashtu ai është edhe njëri ndër themeluesit e KF Shqiponja në Langenthal, i formuar në vitin 2009, e që nga themelimi e deri më tani , në pozita të ndryshme, gjithmonë i ka shërbyer me krenari këtij klubi.

„Çdo sukses i tyre është kënaqësia ime“ shprehet i ngazëllyer ai, tek rrëfen për Albinfo.ch për sukseset e shumta të ish nxënësve të tij.

Prandaj, duke qenë se është mjaft i lidhur me mësimdhënien dhe sportin, mësuesi Veton i porosit prindërit dhe të rinjtë shqiptarë që sa më shumë të investojnë në edukim, pa lënë anash as sportin, aktivitete që sipas tij ndikojnë në zhvillimin intelektual, social dhe fizik.

 

Alban Hamza

 

 

 


 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriVeton Dizdari 
  • Prejardhja:Kosovë
  • Vendi ku vepron:Bern
  • Profesioni:Mësues i (LAPSH) “Naim Frashëri“