Integrimi
Shkolla shqipe hap dyert për herë të parë në Hanau të Gjermanisë
Bisedë me mësuesen e përkushtuar të kësaj shkolle, Alma Hani, lidhur me lajmin e gëzueshëm të hapjes së shkollës
Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një detyrë e rëndësishme dhe një domosdoshmëri për mbijetesën e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve që jetojnë larg atdheut. Në kushtet e emigrimit, ku ndikimet e gjuhëve të huaja dhe asimilimi kulturor janë të mëdha, mbajtja gjallë e shqipes është një sfidë e vazhdueshme.
Më 10 shtator ’24 në qytetin Hanau të Gjermanisë u hap Shkolla e parë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, ku zhvillon mësim edhe mësuesja e përkushtuar Alma Hani.
Mësuesen beratase Alma Hani e njoha në një seminar me mësues/se të gjuhës shqipe nga mbarë diaspora më 28 korrik 2012 mbajtur në Ulqin. Para disa ditësh në adresën time elektronike ajo më shkruan … vjeshta përveç ngjyrave të saj të arta vjen me zërat e fëmijëve që gumëzhijnë në oborret e shkollave, me aromën e librave dhe jo vetëm… Edhe për mua në ketë vjeshtë, më vjen një lajm i gëzueshëm në emigracionin e dytë ku do të jem njëra prej mësimdhënësve të gjuhës shqipe. Nuk mund ta lija këtë lajm të mirë larg lexuesve. Më lejoni që të ndaj bisedën e zhvilluar përmes telefonit me mësuesen Alma Hani.
Albinfo.ch: Çfarë ju shtyu të hapni këto klasë të gjuhës shqipe në qytetin Hanau ?
A. Hani: Faleminderit për këtë mundësi për të ndarë përvojën time. Duke qenë aktive, si mësuese e gjuhës shqipe në diasporën shqiptare në Greqi, gjithmonë kam ndjerë një përgjegjësi të madhe për të mbajtur gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën kombëtare – shqiptare për brezat e rinj. Nisma për hapjen e shkollës shqipe në Hanau erdhi nga dëshira e përbashkët e prindërve shqiptarë që jetojnë këtu prej disa dekadash. Kjo është një nismë e mbështetur nga autoritetet shkollore dhe nga Konsullata e Kosovës në Frankfurt- e falënderoj. Ndërsa unë, si mësuese, ndiej një kënaqësi të veçantë që mund të vazhdoj punën time edhe këtu, pas një periudhe të shkëputjes nga arsimi në Greqi. Shkëputja dhe shpërngulja në Gjermani ishte një sfidë, por falë dëshirës për të kontribuar në ruajtjen e vlerave tona kombëtare, unë jam përshtatur dhe jam gati të jap maksimumin tim.
Albinfo.ch: Sa e vështirë ka qenë të krijoni dhe të organizoni klasat e gjuhës shqipe?
A. Hani: Në Gjermani, organizimi i klasave të gjuhës shqipe ka qenë një proces relativisht më i lehtë në krahasim me përvojën time në Greqi. Këtu shteti ka një qasje më të strukturuar, ku çdo qytet ofron mundësinë e ruajtjes së gjuhës së prejardhjes për komunitetet e huaja. Nxënësit kanë mundësinë të zgjedhin gjuhën e tyre amtare përmes një formulari të thjeshtë, gjë që lehtëson shumë procesin. Ndërkohë, në Greqi, përpara 12 vitesh, kjo ka qenë një sfidë e madhe për komunitetin shqiptar, ku duhej të kërkohej çdo ambient për zhvillimin e mësimit për fëmijët tanë. Këto përvoja më kanë mësuar se me këmbëngulje dhe dëshirë të madhe gjithmonë mund të arrihen rezultate pozitive.
Albinfo.ch: A keni mbështetje nga komuniteti shqiptar ose autoritetet lokale për ruajtjen e gjuhës shqipe?
A. Hani: Deri tani, kemi hasur në një fillim të mbarë për sa i përket bashkëpunimit me komunitetin shqiptar dhe autoritetet shkollore. Kjo mbështetje është thelbësore për vazhdimësinë dhe rritjen e numrit të nxënësve, dhe ndjej që ky bashkëpunim do të forcohet akoma më shumë me kalimin e kohës.
Albinfo.ch: Cilat janë disa nga sfidat kryesore me të cilat përballeni si mësuese e gjuhës shqipe në një vend të huaj?
A. Hani: Sfidat janë të shumta, sidomos kur fillon një punë të re. Një nga sfidat më të mëdha është përballja me klasat heterogjene, ku nxënësit kanë nivele të ndryshme të njohjes së gjuhës shqipe. Kjo kërkon një përpjekje të madhe për të ndërtuar një metodologji që të përshtatet me secilin nxënës. Një tjetër sfidë është që mësuesi shpesh ka edhe angazhime të tjera, çka ndikon në menaxhimin e kohës dhe burimeve të nevojshme për të arritur rezultate të duhura.
Albinfo.ch: Sa i ndihmon mësimi i gjuhës shqipe fëmijët shqiptarë të ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor?
A. Hani: Mësimi i gjuhës amtare nuk është thjesht ndihmë, por një vlerë e jashtëzakonshme për fëmijët. Është një pasuri që u ndihmon të forcojnë identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor, duke i bërë të ndihen krenarë për prejardhjen e tyre. Gjithashtu, kjo u jep mundësinë të jenë më të hapur ndaj kulturave të tjera, pasi njohja e gjuhës dhe kulturës së tyre i ndihmon të mësojnë dy gjuhët shqip dhe gjermanisht dhe të integrohen më mirë në shoqërinë pritëse.
Albinfo.ch: Çfarë këshillash do t’u jepnit prindërve shqiptarë për të mbështetur mësimin e gjuhës shqipe?
A. Hani: Si nënë e dy djemve, do të këshilloja të gjithë prindërit të flasin sa më shumë me fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Gjithashtu të i çojnë në shkollën shqipe të mësimit plotësues, sepse punën që bën shkolla nuk e bën dot familja. Gjithashtu, do t’u sugjeroja prindërve që, kur është e mundur, t’i dërgojnë fëmijët për pushime në Shqipëri ose Kosovë, në trojet tjera shqiptare ku mund të praktikojnë nga afër gjuhën dhe kulturën e tyre.
Albinfo.ch: Çfarë do të dëshironit të arrinit në të ardhmen me këto klasë të gjuhës shqipe në Gjermani?
A. Hani: Dëshira ime më e madhe është që nxënësit që vijojnë mësimin shqip të arrijnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të flasin shqip me përpikëri. Në të ardhmen, do të doja që këta nxënës e nxënëse të zgjerojnë ndikimin e tyre dhe të jenë një burim i pashterueshëm për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë për brezat e ardhshëm.
Albinfo.ch: Si reagojnë fëmijët ndaj mësimit të gjuhës shqipe? A është për ta një proces i vështirë apo i lehtë?
A. Hani: Fëmijët përballen me sfida në mësimin e shqipes, pasi jetojnë në një ambient ku shqipja nuk është gjuha dominuese. Për shkak të angazhimeve të tyre të tjera, si aktivitetet sportive dhe kulturore, ata shpesh kanë pak kohë për të praktikuar shqipen. Teknologjia gjithashtu ndikon në përqendrimin e tyre, por detyra jonë si mësuese është të gjejmë mënyra kreative për ta bërë mësimin më tërheqës dhe lehtë.
Albinfo.ch: A planifikoni të zgjeroni klasat e gjuhës shqipe për moshat dhe nivelet e tjera?
A. Hani: Aktualisht, klasat tona përfshijnë tre nivele fëmijësh: nxënës të vegjël që sapo kanë filluar shkollën, ata që flasin pak shqip por nuk e shkruajnë, dhe adoleshentët që shpesh nuk e flasin fare gjuhën shqipe. Sigurisht, do të dëshironim të zgjerojmë klasat për të përfshirë sa më shumë fëmijë që dëshirojnë të flasin e të shkruajnë në gjuhën e ëmbël shqipe.
Albinfo.ch: Si bashkëpunoni me mësuesit dhe shkollat e tjera për të promovuar mësimin e gjuhës shqipe në diasporë?
A. Hani: Aktualisht, si fillim nuk kemi ende një bashkëpunim të strukturuar me shkollat e tjera, por kam pasur mbështetje nga mësuesja Etleva Mançe, në vendin ku punon ajo mësimi i gjuhës amtare është i institucionalizuar në sistemin arsimor gjerman. Ky edukim dygjuhësh nuk është i mundur në Republikën e Hessenit ku unë kam filluar të punoj. Zgjedhja e personelit arsimor dhe financimi është detyrë e vendit të origjinës. Andaj do të dëshiroja të shoh një përfshirje më të madhe të autoriteteve shqiptare, si Ambasadat dhe Konsullatat, për të ndihmuar në financimin e mësuesve të kualifikuar. Kështu veprojnë Greqia dhe Kroacia organizojnë dhe i financojnë mësimdhënësit e mësimit plotësues të gjuhës amtare.
Albinfo.ch: Çfarë do t’i thoshit një personi që dëshiron të bëhet mësues i gjuhës shqipe jashtë vendit?
A. Hani: Do t’i këshilloja që çdo mësuese ta bëjë punën me zemër dhe pasion. Vetëm kur e dashuron atë që bën, mund të përcjellësh vërtet vlerat dhe dijen tek fëmijët, duke lënë një ndikim të përhershëm tek ata.
Albinfo.ch: Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë mësimi i shqipes te këta fëmijë në të ardhmen e tyre?
A. Hani: Mësimi i gjuhës shqipe te këta fëmijë ka një ndikim shumë të thellë dhe të shumanshëm në të ardhmen e tyre. Së pari, ruajtja e gjuhës amtare u ndihmon fëmijëve të ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor. Gjuha është një urë që i lidh me traditat, historinë dhe vlerat që kanë kaluar brez pas brezi, dhe kjo u jep atyre një ndjenjë krenarie për prejardhjen e tyre. Përmes gjuhës shqipe, ata do të kenë mundësinë të komunikojnë më mirë me familjarët e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe trojet shqiptare, duke ndërtuar dhe forcuar lidhje më të ngushta ndër personale dhe emocionale.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm Shkrimtari shqiptar Pajtim Statovci merr çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm për romanin “Lopa pjell natën” ...
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
-
Një rrugë në Filadelfia të SHBA-së merr emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre