Lajme

“Shkolla Shqipe” feston 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë, në Kantonin e Zugut

Salla ishte e mbushur plot. Prindër e gjyshër ndoqën me duartrokitje programin e përgatitur nga tri mësueset: Minire Azemi, Lumnije Klinaku Neziri dhe Liljana Bregaj

Festa e 28 Nëntorit- Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, apo siç e quajmë ndryshe Dita e Flamurit, është festuar në mënyra të ndryshme pothuajse në të gjitha pikat shkollore mbarë Zvicrës. Vlen të veçohet manifestimi shkollor i “Shkollës shqipe” në Lozanë dhe të shtunën e kaluar në Kanton Zug, nën përkujdesjen e mësueseve Lumnije Klinaku – Neziri, Minire Azemi, Liljana Bregaj dhe Asime Veliu – Ziba, të cilat me një përkushtim të veçantë festuan 28 Nëntorin, duke përfshirë nxënësit e pikave shkollore Cham, Rotkreuz, Baar, Zug, Inwil etj. Përveç nxënësve, të cilët ishin mrekullia vetë, manifestimin e nderoi edhe këngëtarja dhe atdhetarja Dije Shaqa Sefa, e cila me disa këngë të zgjedhura për këtë ditë festive mrekulloi publikun.

Nxënësit  e shkollave shqipe në Kanton e Zug-ut nën drejtimin e mësueses Liumnije Klinaku – Neziri

Dita e shtunë kishte ngjyrat e flamurit për shumë familje shqiptare që jetojnë në kantonin e Zugut. Ato u mblodhën në Cham dhe krijuan pamjen më të bukur të shqiponjës në flamur. Kuq e zi, ishte fjala që dëgjohej më së shumti atë ditë dhe të vinte si një cicërimë zogu, nga ato gojë të vogla që me zemër e shpirt i kënduan 28 Nëntorit, flamurit, atdheut, Shqipërisë. Ishin këta nxënësit e shkollës shqipe në Zvicër që ndjekin mësimet në komuna të ndryshme të kantonit të Zugut.

Salla ishte e mbushur plot. Prindër e gjyshër ndoqën me duartrokitje programin e përgatitur nga tri mësueset: Minire Azemi, Lumnije Klinaku Neziri dhe Liljana Bregaj.

Programi filloi me  himnin e flamurit dhe këngën “Ty flamur të duam shumë”, kënduar nga të gjithë nxënësit. Pastaj nxënësit e shkollës shqipe Cham: Anina Malushi,Lorik e Olsa Dina, Blend Krasniqi , Arjola e Leart Dushi vazhduan me recitalin: “28 Nëntori” nga Lasgush Poradeci.

Poezi për flamurin e atdheun recituan Hamëz e Erza Haxhija nga shkolla shqipe Baar, Mirela e Enrik Kodraj, Arion e Alina Ramadani nga shkolla shqipe Inwill, Dilara Kaba nga shkolla shqipe, Rotkreuz, Rian Veliu nga shkolla shqipe në Cham dhe nxënëset me të reja të shkollës shqipe Ajna Bajrami dhe Aurela Guta nga klasa e qytetit Zug.

Kënga “O janë mbledhë trimat” u këndua mrekullueshëm nga grupi i fëmijëve të Inwill-it.

Nuk mungoi as kënga arbëreshe kënduar shumë bukur nga nxënësja Eliza Zejneli.

Grupi i nxënësve të klasës së parë Amina, Jara, Rajana, Lena, Emma, Enea kënduan këngën “Shkolla shqipe”.

Programi i fëmijëve u mbyll me një valle nga nxënëset Erina, Melodia, Dilara, Erza, Lea, Amina e Jara. Prindërit e sidomos gjyshërit ishin shumë krenarë me fëmijët e tyre. Salla oshëtinte nga duartrokitjet dhe bashkëkëndimi. Programin e nderoi dhe e pasuroi këngëtarja Dije Shaqa Sefaj, mbesa e rapsodit Derivsh Shaqa, me disa këngë të bukura, që ngjallën emocione të forta tek të gjithë. Ishin fëmijët ata që e kthyen për së dyti në skenë me thirrjet “Edhe një herë, edhe një herë”.

Këngëtarja Dije Shaqa Sefaj, mbesa e rapsodit Derivsh Shaqa, mrekulloi publikun me zërin e saj

Festa vazhdoi pas programit me një koktej të përgatitur nga Këshilli i prindërve. Ishin të shumta fjalët e mira, falënderimet dhe mbështetja e ofruar nga prindërit për mësueset e këtij kantoni. Po edhe shkolla shqipe në Zug i falënderoi të gjithë për mbështetjen në këtë rrugëtim jo edhe aq të lehtë. Një falënderim të veçantë shkolla shqipe ka për firmën “Muharemi”, me pronar Ardit Muharemin nga Rotkreuzi dhe firmen “Delifol” me pronar Ardijan Pongjaj nga Cham-i për mbështetjen financiare që i dhanë shkollës shqipe. Në fund me urimet për festën e 28 Nëntorit dhe me dëshirën që të takohen sa më shpejt në festat e tjera u mbyllë kjo ditë e bukur, siç e quajti njëri nga pjesëmarrësit në këtë festë.

“Shkolla shqipe “ – Zvicër

Sektori për informim