Futboll

Shkodran Mustafi pritet ta vazhdojë karrierën në Serie A

Mediumet italiane kanë raportuar të martën se Lazio ka arritur marrëveshje personale me Mustafin dhe po negocion me skuadrën e Arsenalit për lirimin e tij.

Bëhet e ditur se Lazio është e gatshme të paguajë dëmshpërblim deri në 12 milionë për Mustafin, i cili nuk bën pjesë në planet e trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, për edicionin e ri.

Ish-reprezentuesi i Gjermanisë, Mustafi, te Lazio shihet si përforcim i duhur për mbrojtjen, bazuar në përvojën e tij të mëparshme në Serie A, ku ishte pjesë e Sampdorias (2012-2014). Mustafi 28-vjeçar ka kontratë me Arsenalin deri në vitin tjetër kurse është pjesë e ekipit londinez që nga viti 2016, kur iu bashkua nga Valencia për 41 milionë euro. Mustafi aktualisht është i lënduar dhe pritet të rikthehet në stërvitje gjatë muajit të ardhshëm.