Shqiperia

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Austri

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Austrinë llogariten rreth 4.3 miliardë lekë gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti.

Referuar raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar së fundmi nga INSTAT-i, eksportet shqiptare arritën mbi 1.6 miliardë lekë, gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, nga 900 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Ndërkohë rritje shënuan edhe importet nga Austria. Sipas INSTAT-it, importet llogariten 2.7 miliardë lekë për periudhën, nga 2.5 milionë lekë që ishin përgjatë 5-mujorit të 2021-shit.

Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë janë intensifikuar dukshëm gjatë viteve të fundit.

Veçanërisht sistemi bankar dhe ai i sigurimeve (rreth 70 % të aksioneve në treg) dominohen aktualisht nga biznese austriake. Me vënien në funksion të hidrocentralit ASHTA në veri të Shqipërisë, Austria përfaqësohet në Shqipëri edhe në fushën e energjetikës.

Austria gjatë viteve të fundit renditet në vendet kryesuese të listës së investimeve të huaja në Shqipëri.

Aktualisht shuma e investimeve austriake në Shqipëri llogaritet rreth 554 milionë euro. Në Shqipëri operojnë gjithsej 100 ndërmarrje me kapital austriak (përfshirë edhe ndërmarrjet me kapital të përbashkët).

Gjithashtu edhe në fushën e turizmit ka një potencial të madh zhvillimi. Numri i turistëve austriakë që vizitojnë çdo vit Shqipërinë po rritet gjithmonë e më shumë.