Muzikë
SHKA “17 Shkurti”, shoqata që shkroi historinë e kulturës shqiptare, në Austri
Shoqëria Kulturore Artistike “17 Shkurti” nga Baden-i, është vatër kultivimi dhe afirmimi e shqiptarëve. Me një histori të gjatë veprimtarie, ajo i dha shpirt kulturës shqiptare përmes valleve, këngëve e koloritit të kostumeve kombëtare
Për mërgimtarët tanë, falë SHKA-së “17 Shkurti”, Baden-i u bë sinonim i këngëve dhe valleve shqiptare. Sallat e bukura të qytetit iu ofruan shoqërisë. Ajo u bë tribunë e afrimit të kulturave, u bë urë lidhëse mes njerëzve gjuhësh të ndryshme. E gjithë kjo u arrit me dashuri e respekt ndaj kulturës dhe etnisë prej nga vijmë. Këtë dashuri e mishëroi me përkushtim, duke fituar mbi sfidat e shumta që sjell jeta në mërgim e Tahir Turkajt me ndihmën e bashkëshortes Hidajetes, familjes dhe mërgimtarëve artdashës.
Për të kuptuar më shumë rreth shoqatës dhe veprimtarisë historike të saj, për revistën albinfo.at, biseduam me Tahir Turkajn,
Albinfo.at: Fillimisht na tregoni, kur u themelua shoqëria artistike “17 Shkurti” në Baden dhe cilët ishin hapat e parë të saj?
Tahir Turkaj: Si “Shoqëri Artistike” është themeluar më 31 mars të vitit 2007, por aktivitetet tona filluan shumë më herët falë punës sonë, duke u nisur nga familja ime dhe rrethi artistik në Baden. Pas shumë aktiviteteve artistike të zhvilluara, një ditë vendosem të ulemi dhe të themelojmë shoqërinë tonë. Në takim kishte aktivistë e artistë të shumtë. Si nismëtarë mund të veçoj: Tahir Turkaj, Semelit e Berat Tafallari, Kemajl Mustafa, Agim Gashi, Afrim Rukolli, Xhafer Haxha, Marjan Kola, Argjend Gashi, Niman Turkaj, Gani Shpati, Valon Pireci, Gjyle Qollaku, Lulëzim Berisha, etj. Këta aktivistë i dhanë jetë shoqërisë e cila u rrit vazhdimisht.
Emërtimi i shoqërisë erdhi vetëm më 17 shkurt 2008, kur shpallet Pavarësia e Kosovës. Në sheshin e njohur në qendër të Vjenës, “Heldenplatz”, më 17 shkurt 2008, u mblodhën mërgimtarë nga e gjithë Austria për të ndjekur aktin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Aty, vendosëm për emrin e shoqërisë e cila pak ditë vonë u regjistrua pranë organeve vendore dhe tani me krenari mbajmë këtë emër.
Albinfo.at: Si duket struktura e artistëve në krahasim me dikur? Familja juaj, tani e njohur për publikun si familje artistësh, si e shpjegoni këtë ?
Tahir Turkaj: Mund të them, që në fillim kishim e një strukturë të mirë. Pastaj, natyrisht, me ushtrime të rregullta dhe përkrahjen e bashkatdhetarëve adhurues të muzikës, u konsoliduam dhe fituam besimin se mund të përgatisim programe kualitative, pasi kishim edhe orkestrën e konsoliduar, disa këngëtare e këngëtarë të rinj. Dua të veçoj këtu ndihmën e familjes sime, ishim e tërë familja prej nëntë anëtarësh të angazhuar, kishim një rreth ambicioz të organizuar mirë dhe atdhetarë që e donin këngën, vallen e gjuhën shqipe. Kjo bëri që shoqëria jonë artistike të afirmohet tek të gjithë qytetarët e Baden-it artdashës.
Albinfo.at: “Shoqëria” ishte aktive dhe u bë e njohur në Austri. Si e përshkruani ju suksesin e saj?
Tahir Turkaj: Aktivitetet tona të vazhdueshme në tërë Austrinë u përcollën nga shtypi dhe mediat elektronike, RTK, gazetat ditore, kështu u bë i njohur aktiviteti ynë jo vetëm në Austri.
Albinfo.at: Si ka ndikuar pandemia në realizimin e programeve tuaja, ka ngecje ?
Vitet e fundit regjimi i pandemisë e ka goditur shoqërinë tonë në të gjitha poret e jetës; anulimi i koncerteve, ushtrimeve, shkëputja nga pikat programore, nga solistë e instrumentistë. Tani presim ringjalljen e programeve tona në kthimin sërish para publikut i cili i pret me padurim.
Albinfo.at: Cilat aktivitete, shfaqje i kujtoni ju me kënaqësi?
Tahir Turkaj: Janë shumë aktivitete dhe secila prej tyre ka historinë e saj. Do të veçoja megjithatë disa: koncerti në Javën e Bashkisë së 10-të në Vjenë, viti 2007 (Bezirkwoche), po në të njëjtin vit në lokalitetin Tribuswinkell, Festivali Ndërkombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore në Austri (2014), ku fituam shpërblimin e parë, kremtimi i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, koncerti në Gjermani 2016, festivali i 3-të Kombëtar në Tiranë në vitin 2017, pjesëmarrja në koncerte së bashku me shoqëritë tjera në Austri, Akademinë në përkujtim të 10-të vjetorit të ndarjes nga jeta e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Ka edhe shumë aktivitete tjera.
Albinfo.at: Si është bashkëpunimi me autoritetet vendore të Baden-it, a mund të veçoni individë, miq të hershëm e të rinj të shoqërisë suaj?
Tahir Turkaj: Që nga fillimi kemi një bashkëpunim shumë të mirë me drejtuesit qytetit te Baden-it. Në shfaqjet tona artistike gjithnjë kanë qenë të pranishëm drejtues institucionesh shqiptare, ambasadorë e diplomatë, studiues e veprimtarë të shumtë.
Ishte nder për ne të kishim të pranishëm trashëgimtarët e familjes së njohur nga Dinastia e Habsburgëve, si Znj. Herta Habsburg-Lotringen. Pastaj, kryetari i Komunës së Baden-it z. Kurt Staska, Dr. Helga Krismer, nënkryetarë të Komunës së Baden:it, Peter Ramberger, Carmen Jetller Cinceli, Ferdinand Türtscher. Stefan Szirucsek, pastaj Lukas Mandl, deputet në Parlamentin Evropian. Vargu i miqve është i gjatë në vallëzimet e përbashkëta në festat kombëtare të të dy popujve tanë.
Albinfo.at: I keni shënuar këto aktivitete tuaja të shumta. Po bashkëpunimi me vendlindjen, ambasadat tona, si i përshkruani këto?
Tahir Turkaj: Në arkivin kalendarik të shoqërisë i kemi të ruajtura të gjitha dokumentet, nga shtypi, filmimet dhe së shpejti do të nxjerrim monografinë tonë të aktiviteteve të deritanishme. Kemi bashkëpunim me vendlindjen përmes Ministrisë së Diasporës, me ambasadat tona këtu në Austri, shkollën e vallëzimit “Shota” në Zvicër, Shoqatën e Mësuesve, Lidhjen e Shkrimtarëve, Rrjetin e Bizneseve, klubet sportive etj. E gjithë kjo histori e aktiviteteve tona nuk do të mund të realizohej pa bashkëpunimin e gjithanshëm me bizneset, jo vetëm shqiptare, të cilat ishin mbështetës financiarë. Kam kënaqësinë të falënderoj të gjithë, në veçanti Firmat: IAT e vëllezërve Basri e Esat Miftaraj, Loshaj Bau, Loshi Reisen, Emini Donau City Fenster &Türen GmbH e shumë tjerë. Pra, jemi me të gjithë dhe jemi e të gjithëve.
box
Si përfundim
SHKA “17 Shkurti” u bë imazhi shqiptar i këngës dhe valles festive me flamurin që valëvitet shekujve në skenat tona, stadiumet tona, shesheve tona, lapidarëve tanë, gjithkund aty ku zemra flet e jeton shqip. Aty mërgimtari prek atdheun e munguar me mallin për tokën, për shtëpinë, për farefisin.
Shoqëria nuk është vetëm valle, as vetëm këngë, as vetëm recitim, është më shumë, është shkollë, është mësim e edukim. Sa e sa nxënëse e nxënës defiluan në skenën e kësaj shkolle praktike e përjetuese. Ata zëra bilbilash të veshur me kolorit shqiptar që tani i kemi gjithandej hapësirave të jetës. Mësuesi Ibrahim Hasanaj ishte gjithkund me nxënësit e tij: në mësim, valle, recitime, këngë… Ata nxënës dje këngëtarë, recitues e valltarë, sot instrumentistë, tenorë e soprano auditorëve të njohura të vendit nikoqir me të cilët krenohemi.
Thënë ndryshe, mërgata shqiptare në Austri është më e pasur me Shoqërinë Kulturore Artistike “17 Shkurti”. Ajo dridhi sheshet e njohura të Vjenës në kohët kur shqiptarët kalonin momente historike drejtë lirisë e progresit. Në zemër të Vjenës, në Heldenplatzin e njohur, u brumos historia me artin e kërkuar, u brumos emri i një lindjeje të re, që ne e kishim pritur shekujve. Po, 17 shkurti i para katërmbëdhjetë vjetëve u jetësua në qenien tonë, në emrin shqiptar i shenjtëruar me emra dëshmorësh.
Paraqitja në skenën e “17 Shkurtit” e këngëtarëve, valltareve, poetëve, diplomatëve, mësueseve, bizneseve, veprimtarëve nga të gjitha trevat shqiptare e afroi mërgimtarin me atdheun dhe atdheun me mërgimtarin.
“Atdheu duhet me vepër”, kishte thënë, rilindasi i madhi, Sami Frashëri. E, këtë e jetësoi Tahir Turkaj me SHKA “17 Shkurti”. Kështu janë patriotët e vërtetë. I tillë është edhe Tahir Turkaj.
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor