Shkurt.ch

Shitoret e pompave të benzinës do të punojnë 24 orë?

Nëse ky liberalizim i orarit të punës të shitoreve në fjalë bëhet përfundimtar, sindikatat do të iniciojnë referendum kundër tij

Shitoret në kuadrin e pompave të benzinës në Zvicër mund të qëndrojnë hapur  gjatë 24 orëve dhe gjatë gjithë kohës mund të shesin mallra nga i gjithë asortimenti i tyre.

Kështu do të veprohet në rast se edhe Dhoma e kantoneve do ta miratojë ndryshimin e ligjit, të cilin sot e ka miratuar Dhoma Nacionale. Dhe, nëse ky liberalizim i orarit të punës të shitoreve në fjalë bëhet përfundimtar, sindikatat do të iniciojnë referendum kundër tij.

Ndryshimi i miratuar nga Dhoma Nacionale kërkon që shitoret në pompat e benzinës nëpër autostrada dhe në magjistrale të kenë të drejtë të angazhojnë punëtorët e tyre edhe të dielave dhe gjithë natën çdo ditë të javës. Kusht për këtë angazhim është që oferta e mallrave e këtyre shitoreve të jetë e orientuar nga plotësimi i nevojave të personave që udhëtojnë me automjete. Pronarët nuk do të kenë nevojë të kërkojnë leje speciale për këtë punë.

Sipas ligjit të deritashëm, shitoret e pompave të benzinës mund të shesin kafe ose sandviçe por jo edhe produkte të tjera. Për këtë arsye shumë nga shitoret detyrohen të bllokojnë një pjesë të lokalit të tyre.