Shkurt.ch

Shitësja trime ia çjerr maskën hajnit të armatosur!

Ajo, jo vetëm që nuk u tremb nga revolja që i ishte drejtuar por iu afrua hajnit dhe ia hoqi maskën nga fytyra

Një person i maskuar dhe i armatosur ka provuar mbrëmjen e të shtunës të plaçkisë një shitore të një pike karburanti në Oberengstringen të kantonit të Cyrihut. Ai ka kërcënuar shitësen dhe i ka kërkuar që t`ia dorëzojë paratë që kishte në arkë, njofton sda.ch duke iu referuar burimeve policore.

Por, hajni e kishte bërë “hesapin pa hanxhiun”, në fakt e kishte neglizhuar shitësen e guximshme. Ajo, jo vetëm që nuk u tremb nga revolja që i ishte drejtuar por iu afrua hajnit dhe ia hoqi maskën nga fytyra, transmeton albinfo.ch. I frikësuar se po zbulohej, ai ia dha vrapit, pa marrë asgjë nga shitorja. Disa medie shkruajnë se shitësja e ka njohur hajnin nga zëri, pasi që ai ishte klient i rregullt i shitores

Policia e alarmuar është mobilizuar në kërkim të hajnit por ende nuk e ka gjetur. Shitësja e guximshme nuk ka pësuar asnjë lëndim. Por Policia Kantonale këshillon që në rastet e ngjashme në asnjë mënyrë të mos provohet të kapet hajni. Me një veprim të tillë mund të rrezikohet jeta.