Lajme

Shfaqja nga Kosova “Të negociosh paqen” do të prezentohet në Hamburg të Gjermanisë

Shfaqja e Qendrës Multimedia “Të negociosh paqen” (Negotiating Peace), në të cilën luajnë edhe aktorë të mirënjohur nga Kosova e Shqipëria, do të prezentohet më 20 dhe 21 prill në Hamburg të Gjermanisë, në teatrin Kampnagel, si pjesëmarrëse e festivalit të madh ndërkombëtar KRASS Festival. Kjo është hera e dytë që Qendra Multimedia prezentohet në këtë festival, shkruan albinfo.ch.


Në rolin kryesor të shfaqjes “Të negociosh paqen”, regjinë e së cilës e ka bërë Blerta Neziraj, luan aktori i mirënjohur nga Kosova, Shkumbin Istrefi. Në shfaqje luajnë edhe doajenja e skenës teatrore kosovare, Melihate Qena, si dhe aktorja e njohur shqiptare, Ema Andrea. Pjesë e trupës së shfaqjes janë edhe aktorë nga Ukraina, Bosnjë e Hercegovina, Estonia e Norvegjia.

Drama, e shkruar nga Jeton Neziraj, merr shkas negociatat e paqes, duke përfshirë Marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, si dhe bisedimet politike — ende pa shumë rezultat — ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Të negociosh paqen” është frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” [T’i japësh fund një lufte] dhe nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë. Shfaqja tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimiteti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual?

Në një fjalë për shfaqjen, regjisorja Blerta Neziraj ka thënë: “Gjëja kryesore në të cilën përqendrohemi në këtë shfaqje është: Nëse lufta i ka demonët e vet që i çojnë njerëzit drejt shkatërrimit e mjerimit, çfarë ka paqja? Cili është antipodi i demonëve të luftës?! A janë emisarët e paqes udhëheqësit politikë që marrin guximin të nënshkruajnë marrëveshjet e paqes? Apo njerëzit e zakontë, të mbijetuarit, të cilët e kanë paguar çmimin më të madh në luftë”.

Kjo shfaqje është prodhuar nga Qendra Multimedia, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali); Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani); Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki); R.A.A.A.M (Estoni); Mittelfest (Itali); Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë); Black Box Teater (Norvegji) dhe My Balkans (SHBA/Serbi).

Shfaqja në Hamburg mundësohet edhe me mbështetjen e shoqatës kulturore nga Hamburgu, ‘ODA e.V. Hamburg’.

Fotografitë: Atdhe Mulla

Më shumë rreth shfaqjes mund të gjeni në web faqen e Qendrës Multimedia