Feja
“Sheriati është në kundërshtim me islamin”
Përkthim ekskluziv i albinfo.ch
Nëse me sheriat nënkuptohet një sistem juridik që duhet t’i pëfrshijë të gjitha fushat e jetës dhe të diktojë se çka duhet të bëhet në një situatë të caktuar, atëherë ai është në kundërshtim të plotë me islamin.
Pse vallë?
Sepse nuk është detyrë e religjioneve, pra as e islamit, nxjerrja e ligjeve. Islami synon ta përsosë njeriun që ai të mundë ta arrijë përbashkësinë e Zotit. Por, përsosmëria nuk arrihet nga jashtë, prandaj as nëpërmes detyrimit ligjor. Përsosmëria është shumë më tepër një proces që vjen dhe do të duhej të vijë nga brenda. Njeriu duhet të punojë me vetveten që të mundë ta përsosë veten e tij në të qenit njeri. Të sillesh në ndonjë mënyrë të caktuar nga frika e sanksioneve të kësaj a të botës tjetër, mund të shërbejë në ruajtjen e ndonjë rendi shoqëror, por nuk kontribuon kurrsesi në përsosjen e brendshme. Religjioni duhet të bëhet formë e jetesës. Kjo është shumë më tepër sesa respektim ligjesh. Të sillesh mirë vetëm pse këtë e urdhërojnë ligjet mbruan në vete rrezikun e ndërrimit të sjelljeve porsa ligji të mos vlejë më. Kjo shihet qartë te turistët që vijnë nga vendet shumë represive islamike. Sa herë që kthehem me aeroplan nga vizita prindërve të mi në Arabinë Saudite shoh sesi shumë gra që hypin në aeroplan të mbuluara plotësisht me ferexhe, zbresin nga i njëjti aeroplani me rroba mjaft moderne dhe relativisht të shkurtra. Jo rrallë kam hasur në burra që në aeroplan pyesin për alkool. Shumë përcjellëse fluturimesh do të mundë të thurnin romane nga ajo si si shikohen dhe si ngacmohen nga burrat e këtyre vendeve. Në vendet e tyre këta njerëz sillen ndryshe, nga frika e sanksioneve juridike, e jo nga bindja e vërtetë. Ky konstatim natyrisht se nuk kufizohet vetëm te njerëzit e vendeve myslimane. Të kujtojmë ushtarët amerikanë në Irak apo në Guantanamo që torturonin dhe keqpërdornin të burgosurit në mënyrën më çnjerëzore. Të kujtojmë njerëzit e ashtuquajtur të botës së parë që udhëtojnë si “seksturistë” në Amerikën Jugore apo në Tajlandë. Të kujtojmë vendet e ndryshme të pasura me naftë dhe ndihmën që regjimet e tyre diktatoriale marrin nga Evropa dhe SHBA-ja për t’i ruajtur interesat e tyre ekonomike dhe strategjike. Lista është e gjatë.
Islami ndërgjegjëson për një zë të brendshëm edhe aty ku s’vepron fare ligji. Njeriu i përsosur që synon islami e sheh njeriun e tij të realizuar atëherë kur ai vendos për të mirën dhe e do të mirën. Vetëm atëherë ai është vërtet i lirë. Thënia a mëposhtme e Profetit Muhmet të kujton thënien e Immanuel Kant-it mbi lirinë: “Askush nuk është vërtet besimtar, nëse vullneti i tij nuk i përgjigjet asaj që kam kumtuar unë” (e cituar sipas an – Nasawi, al- Arba’ūn, hadith-i nr. 8). Sipas Kant-it, njeriu është i lirë atëherë kur është i vendosur për të mirën. Sipas konceptit të Kant-it mbi lirinë, liria nuk ka liri zgjedhjeje, sepse nuk ka mundësi të ndryshme zgjedhjeje. Edhe nëse ekziston vetëm një opsion veprimi, njeriu është i lirë derisa forca e arsyes së tij e konsideron zgjedhjen e këtij opsioni si të mirë. Sipas Kant-it, i lirë është vetëm ai që me vetëdije sillet në pajtim me detyrën, do me thënë ai që sillet moralisht. Prandaj vetëm vendimi i vetëdijshëm në pajtim me detyrën është vendim i lirë dhe anasjelltas. Për të dalluar se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe dhe për të mos iu nënshtruar instinkteve të tij, njeriut i duhet arsyeja e tij. Liria është e mundur vetëm nëpërmes arsyes. “Vullneti është një pasuri ta zgjedhësh vetëm atë që arsyeja, pa marrë parasysh prirjen, e konsideron si domosdo praktike, do të thotë si të mirë”. (Immanuel Kant: Bazamenti i metafizikës së sjelljeve).
Por, dikush mund të thotë se Kurani në disa vende flet për gjykim sipas normave të Zotit. Kështu, për shembull, në suren e 4-t, vargu 105, thuhet: “Ne ta kemi përcjellë ty (Muhamet) librin e vërtetë, që ti të mund të gjykosh mes njerëzve ashtu siç të ka mësuar Zoti”. Në Kuran bile kritikohet: “Ata që nuk gjykojnë ashtu siç ka porositur Zoti janë të padrejtë”. (Kurani: 5:45).
Por çka është ajo që Zoti e ka shpallur si kriter të gjykimit? A është fjala këtu për norma partikulare juridike, pra për ligje, siç pretendojë disa?
Të shohim se çka thotë vetë për këtë Kurani:
“Zoti ju urdhëron që të mirat e besuara t’ua ktheni atyre që iu përkasin dhe, nëse gjykoni mes njerëzve, të gjykoni drejt”. (Kurani: 4:58). Kurse në një vend tjetër thotë: “Dhe nëse Ti (Muhamet) gjykon mes tyre, atëherë gjyko drejt”. (Kurani: 5:42). Më tej: “Ne (Zoti) i dërguam të porositurit tanë dhe me ta edhe Librin dhe peshoren me porosinë e qartë, sipas së cilës njerëzit do të duhej ta ushtronin drejtësinë”. (Kurani, 57:25) Pra ajo që ka dëguar Zoti, sipas së cilës duhet të gjykohet, është drejtësia. Pra, nuk është fjala për ligje të veçanta, por për drejtësinë që duhet të sendërtohet në tokë. Çdo ligj, i cili i përgjigjet parimit të drejtësisë, është në pajtim me atë që ka porositur Zoti, edhe nëse ky ligj nuk e mban mbishkrimin “mysliman”; ligji është vetvetiu edhe mysliman, nëse është i drejtë.
Në Kuran nuk flitet për rregullime partikulare juridike, por për parime përgjithësisht të vleshme. Bëhet fjalë për sendërtimin e drejtësisë në botë njëherë e përgjithmonë dhe për përmbushjen e porosisë profetike (krahaso Kurani: 57:25).
(…)
Sheriati është një konstrukt njerëzor
Salafistët i mohojnë të drejtat e njeriut, sepse ato nuk iu përgjigjen masave juridike të fazës së Medinës (622 – 632). Edhe argumenti në dukje i matur i disa myslimanëve se sheriati duhet të vlejë vetëm atëherë kur myslimanët përbëjnë shumicën e popullsisë së një vendi e mban si të drejtë pretendimin e jetësimit të sheriatit. Këtë argument e dëgjoj shpesh nga myslimanët e Evropës. Ata, njësoj si salafistët, janë në parim për futjen e sheriatit, edhe pse në kundërshtim me botëkuptimin e sotëm mbi të drejtat e njeriut, siç është ndëshkimi trupor që përmendet në Kuran apo edhe në traditën profetike. Problemi kryesor është në të kuptuarit se sheriati kufizohet në masat partikulare juridike të Medinës së shekullit të shtatë. Pasi që një herë në një emision të njëjtë të televizionit austriak shfaqa mendime të njëjta, më thirri një teolog mysliman dhe më pyeti se a jam kundër sheriatit?! Isha shumë i befasuar nga kjo pyetje, e cila zakonisht dëgjohet nga gazetarët: “Jeni për apo kundër futjes së sheriatatit në Evropë?” Sepse nuk ekziston asnjë thënie në Kuran apo në traditën profetike që e përkufizon qartë sheriatin. Nëse pyet në Indonezi se ç’është sheriati, merr tjetër përgjigje nga ç’merr, fjala vjen, në Arabinë Saudite. Në Arabinë Saudite gratë nuk kanë të drejtë të ngasin automjetin, për shembull. Dijetarët e arsyetojnë këtë me ndalesën nga sheriati, sikur të kishte pasur automjete në shekullin e shtatë! Bile, po në këtë vend, normat e sheriatit ndryshojnë për një kohë të shpejtë. Deri në vitin 1989, kur e braktisa vendin, atje nuk lejohej as fotografimi, me arsyetimin se kjo është në kundërshtim me atë që ka krijuar Zoti! Kjo vlente si normë e sheriatit. Disa vite më vonë, kur isha në vizitë në Riad te prindërit e mi, u çudita kur pashë foton e myftiut saudit në faqen e parë të një gazete lokale. Ndalesa ishte hequr. Pra lejimi i fotografimit tani është pjesë e sheriatit. Në disa vende islamike demokracia është botëkuptim i sheriatit, në disa vende është në kundërshtim me të. Ajo që dua të them me këtë është se sheriati është një konstrukt njerëzor. Ai është një produkt i formuar i përpjekjeve historike të shumë dijetarëve për mveshje dhe interpretim të islamit. Sa i përket arritjes së qëllimeve, këto tentativa janë parimisht të hapura. Për këtë arsye s’mund të flitet për “sheriatin”. Kush flet për sheriat duhet të sqarojë se çka mendon me atë.
Disa myslimanë e përdorin termin “sheriat” dhe me të nënkuptojnë të gjitha mësimet islame që nga parimet themelore të monoteizmit e deri te ritualet religjioze dhe botëkuptimet shoqërore dhe juridike. Kjo duket legjitime, por atëherë do të duhej të flitej për islamin, sepse zbatimi i këtij termi e barazon sheriatin me kuptimin e islamit si religjion. Me sheriat, sidomos këtu në Evropë, nënkuptohet një sistem juridik që përbëhet nga një mori ligjesh dhe përcakton saktë se si duhet të sillet njeriu në situata të caktuara. Ai kuptohet pra si një sistem paralel ligjor i sistemit juridik të një vendi të caktuar.
Nëse duhet patjetër të përdoret termi sheriat, propozoj që krahas ritualeve religjioze dhe normave për përdorimin e ushqimeve (ndalesën e alkooolit dhe të mishit të derrit), të vlejnë me këtë edhe parimet e Mekës si parime universale dhe ahistorike, të cilat i përmbledh në gjashtë:
1. Monoteizmi
2. Paprekshmëria e dinjitetit njerëzor
3. Drejtësia
4. Liria e njeriut
5. Barazia e të gjithë njerëzve
6. Përgjegjësia sociale
Se a do të kuptohet sheriati si sistem juridik, pra që ka të bëjë me ligjet, apo si një kornizë spirituale për thellimin e lidhjeve të njeriut me Zotin me qëllim të përsosjes së njeriut varet në instancë të fundit nga mënyra e përfytyrimit të Zotit. A kuptohet lidhja e Zotit me njeriun si lidhje në mes të një urdhërdhënësi dhe një të obliguari të dëgjueshëm apo kuptohet si një lidhje mes nënës dhe fëmijës? A bazohet kjo lidhje në dëgjueshmëri dhe frikë apo në dashuri dhe respekt? Këto janë pyetjet qenësore që çdo mysliman do të duhej dhe duhet t’ia shtrojë vetvetes. Çdo mysliman, para se të merret me sheriatin si sistem juridik, duhet ta rishqyrtojë lidhjen e tij me Zotin. Do të ishte më shumë se e dëmshme nëse një jetë të tërë i lutesh një zoti që në fund del si një projeksion dhe që s’ka fare të bëjë me vetë Zotin. Atëherë ke humbur të gjitha dhe e gjitha ka qenë e kotë: tërë jetën je sjellë rreth vetes tënde dhe u je lutur pikëpamjeve tua.
“A duhet t’ua themi juve njerëzve se kush janë humbësit më të mëdhenj? Janë pikërisht ata, zelli i të cilëve ka qenë i kotë derisa kanë besuar se po e bëjnë atë të duhurën.”(Kurani: 18:103 – 104)
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës