Shqipëria

Shërbimi shëndetësor, shqiptarët më të shqetësuarit në rajon për kostot e larta

Sipas një ankete të fundit të realizuar nga “Security Metër” në 6 vende të Rajonit, të organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), shqiptarët shfaqin nivelin më të lartë të shqetësimit për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore.

Të dhënat tregojnë se 24% e shqiptarëve janë shumë të shqetësuar, pasi nuk arrijnë të përballojnë financiarisht kujdesin shëndetësor rutinë dhe mjekimet e nevojshme. Ky shqetësim është më i ulët në Bosnje (16%), Kosovë (9%), Maqedoninë e Veriut (16%), Mal të Zi (20%) dhe Serbi (20%). Në përgjithësi, më shumë se gjysma e qytetarëve në Rajon (53%) ndihen të pasigurt financiarisht përballë shpenzimeve shëndetësore.

Shqetësimet e larta tek shqiptarët lidhen kryesisht me të ardhurat e ulëta dhe mungesën e mbështetjes nga shteti për rimbursimin e medikamenteve. Pacientët me sëmundje kronike dhe të rralla detyrohen të paguajnë nga xhepi për terapitë e tyre, pasi shumë prej tyre nuk përfshihen në listat e rimbursimit.

Ndërkohë që nevojat për shërbime spitalore rriten si pasojë e plakjes së popullsisë dhe shtimit të rasteve me sëmundje kronike, buxheti për shëndetësinë po tkurret. Në dhjetor 2024, fondi i Ministrisë së Shëndetësisë u shkurtua me 2.3 miliardë lekë (3%), duke e çuar totalin e shpenzimeve për shëndetësinë në 75.9 miliardë lekë, nga 77.9 miliardë lekë të miratuara më herët.

Rritja e buxhetit për shëndetësinë është më e ngadaltë krahasuar me rritjen e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2025, buxheti i përgjithshëm parashikohet të arrijë në 822 miliardë lekë (8.2 miliardë euro), ndërsa fondi për Ministrinë e Shëndetësisë do të jetë 80.7 miliardë lekë, që përfaqëson vetëm 9.8% të shpenzimeve të përgjithshme, krahasuar me 10.1% në vitin 2024 dhe 10.7% në vitin 2021.

Spitalet publike, për shkak të mungesës së pajisjeve të avancuara si “Pet skaneri” për diagnostikimin e sëmundjeve në fazat e hershme, nuk arrijnë të ofrojnë shërbime të specializuara. Si pasojë, shumë pacientë, sidomos ata me sëmundje të rralla dhe neoplazma, janë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendit, duke gjeneruar shpenzime të larta për ekonominë dhe duke vënë në rrezik shëndetin e popullatës.

Në dekadën e fundit, fondet për shëndetësinë janë shpërndarë shpesh në investime jo-eficiente, ndërkohë që rimbursimi i barnave ka mbetur i pandryshuar dhe pajisjet mjekësore të nevojshme janë të kufizuara. Ndërkohë, shumë vende të tjera të Rajonit, si Kosova, kanë investuar në pajisje moderne, duke u ofruar qytetarëve një standard më të mirë të shërbimeve shëndetësore.